Kuvendi po lejon të diktohet nga qeveria

Opozita në Kosovë ankohet vazhdimisht se legjislativi po diktohet në masë të madhe nga ekzekutivi.
Sipas opozitarëve, ky diktim e ka shndërruar Kuvendin në një instrument të votës për vendimet që merr Qeveria. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës mohojnë një gjë të tillë, teksa vlerësojnë se raportet Kuvend-Qeveri janë korrekte dhe konform ligjeve dhe kushtetutës së vendit.
Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se ky ndikim dhe kontroll i Qeverisë në Kuvend është vërejtur në masë të madhe tek partnerët e koalicionit.
“Unë e di që në mënyrë indirekte ata ndikojnë për shkak të ligjeve që i dërgojnë e të tjera, por edhe në renditje, edhe në prioritete edhe në çdo gjë, Kuvendi i Kosovës fatkeqësisht veçmas në këtë mandat”, tha Beqiri për Radio Kosovën.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se Qeveria vazhdon ta shtrijë ndikimin e saj, përmes deputetëve të koalicionit qeverisës.
“Në vendimet kapitale të kësaj qeveria, unë shqetësohem se si deputetët e shumicës, në pjesën dërmuese të tyre, përpos 2-3 deputetëve që kanë mendim më të pavarur, të gjithë funksionojnë vetëm përmes urdhrave dhe dekreteve të Qeverisë”, tha Konjufca.
Nga ana tjetër, Driton Selmani, nga KDI-ja, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, e vë në pah, sidomos injorimin, që sipas tij, Qeveria vazhdon t’ia bëjë Kuvendit.
“Vetëm në aspektin e bisedimeve që po ndodhin në raport me Serbinë, kemi një gatishmëri të kryeministrit për të raportuar. Ndërkohë që rezolutat tjera përkundër që e kanë obliguar Qeverinë dhe kryeministrin, pothuajse janë injoruar në tërësi”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, iu përgjigjet akuzave, duke thënë se është e natyrshme kur Qeveria tenton t’i përçojë politikat e saj përmes ligjeve dhe përmes deputetëve të pozitës. Por ndërhyrje, sipas tij, nuk ka pasur asnjëherë.
“Prezenca fizike nuk e tregon respektin e Qeverisë për Kuvendin, por puna dhe raporti që e bëjnë anëtarët e Qeverisë për Kuvendin. Natyrisht, po e përsëris prapë, kur Kuvendi bëhet kundër Qeverisë, atëherë bie Qeveria”, tha Kuçi.
E analisti politik Ardian Arifaj, për raportet mes Qeverisë dhe Kuvendit, e fajëson këtë të fundit.
“Më fajtor e shoh Kuvendin e Kosovës, sesa Qeverinë që po i bën bisht raportimit, sepse Qeveria gjithnjë do të mundohet t’i bëjë bisht, çdo qeveri, në çdo qeveri, në çdo demokraci. Është Kuvendi ai që nuk lejon të ketë bishtnime të tilla”, tha Arifaj./Indeksonline/