E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Kurrfarë zgjidhje përtej planit Ahtisaari

Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka tërhequr vëmendjen e medieve në Paris.
Ministri Enver Hoxhaj ka dhënë një intervistë edhe për gazetën prestigjioze franceze, “Le Monde”.

Me këtë rast, Hoxhaj ka thënë se zgjidhja e vetme për problemet në veri të Kosovës është Plani Ahtisaari.
Duke përshkruar zhvillimet në Kosovë e veçmas procesin e bisedimeve në Bruksel, gazeta citon ministrin Hoxhaj duke ritheksuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se për këtë çështje nuk do të ketë ofertë tjetër, përveç Planit të Ahtisaarit.

“Ajo që ne ofrojmë për serbët, është plani i Ahtisaarit”, ka thënë ministri Hoxhaj për “Le Monde” e cila, po ashtu raporton për vizitën zyrtare të kryediplomatit kosovar në Paris.

Në artikull flitet edhe për takimin e 2 prillit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, duke e quajtur “takim të konkluzioneve”, i cili pritet me padurim.

Në të, po ashtu thuhet se nëse Serbia pranon krijimin e një asociacion të komunave brenda institucioneve të Kosovës, kjo do të ishte një njohje “de facto” e fqinjit të saj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›