Hoxhaj: Njohja nga Egjipti, thellon partneritetin ndërmjet dy shteteve

Ministri i Punëve të Jashtme Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova e sheh Egjiptin si partner bashkëpunimi dhe se njohja nga ky shtet do të ketë ndikim edhe tek vendet tjera të Ligës Arabe, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Në tryezën “Egjipti dhe Kosova”, e organizuar me rastin e vizitës në Kosovë të delegacionit të lartë të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, ministri Hoxhaj ka prezantuar zhvillimet në Kosovë dhe proceset shtetndërtuese, duke theksuar edhe procesin e njohjes dhe të integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.
Duke folur për relacionet Kosovë-Egjipt, ministri Hoxhaj, ka evidentuar lidhjet kulturore ndërmjet dy popujve, që datojnë nga periudha të hershme.
Hoxhaj tha se Kosova është e interesuar që ta zhvillojë një partneritet strategjik me Kajron dhe se e sheh Egjiptin si vijë të partneritetit dhe bashkëpunimit bilateral duke u fokusuar në ekonomi, tregti, në arsim, kulturë e fusha tjera.
Ai ka shpjeguar disa argumente se si duhet parë Kosova në vitin 2013 në Ballkan, por edhe në vendet tjera të botës.
“Pavarësia e Kosovës pa dyshim se ka prodhuar një herë e përgjithmonë në rrafshin afatgjatë paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë. Ndërsa institucionet e sigurisë së Kosovës qoftë policisë së Kosovës që është një shembull i suksesit, qoftë forcat e sigurisë së Kosovës por edhe institucione të tjera kanë bërë një punë të madhe në këto pesë vjetët e fundit edhe sa i përket luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe kanë qenë një mburojë e fuqishme e fenomeneve negative të cilat ndoshta në 10 apo 20 vjetët e fundit apo ndoshta më gjatë, kanë qenë në tranzicion në Ballkan për shkak të gjeografisë mes lindjes dhe perëndimit”, tha Hoxhaj.
Më pas, ambasadori Mohamed Ibrahim Mahmoud Shaker, udhëheqës i delegacionit të lartë të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, tha se kjo vizitë do të hap një faqe të re në marrëdhëniet Kosovë-Egjipt.
Shaker theksoi se vonesa që ka ndodhur nga Egjipti për njohjen e Kosovës do të kompensohet me anë të njohjes, duke shtuar se kauza e popullit të Kosovës ka qenë e drejtë.
Ambasadori Shaker theksoi se Kosova nuk do të zhgënjehet që ka zgjedhur Egjiptin si partner.
Ndërsa, ambasadori El-Sayed Amin Hussein Shalaby vlerësoi progresin që ka bërë Kosova në periudhën e pasluftës, duke shtuar se në Kosovë, për dallim nga shtetet tjera, nuk vihen re gjurmë të luftës.
“Kosova është zhvilluar dhe ka përparuar dhe është një model se si duhet përparuar, se si duhet falur, se si duhet ndërtuar marrëdhëniet me fqinjët”, tha ai.
Shalaby ka vlerësuar kontributin e shqiptarit Mehmet Ali Pashës në themelimin e shtetit egjiptian në kohën e Perandorisë Osmane.
Ambasadori Sayed Kassem Elmasry ka vlerësuar se Kosova ka arritur të krijojë stabilitet politik dhe ekonomik.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. /Indeksonline/