E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Qeveria na pengojë në shumë projekte

Kreu i Komunës së Prishtinës, njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës se në disa raste Qeveria ka penguar Komunën në projekte komunale për qëllime politike. Ai ka thënë se Prishtina ka bërë shumë projekte të infrastrukturës edhe pse ka më pak buxhet, për shkak se Qeveria nuk jep buxhet.

“Nuk e di se çka flet kryeministri Thaçi në Kuvend. Nëse do të kishin 10 milion euro për një kilometër siç bëhet në ‘Autostradës së Kombit’, do të kishim bërë shumë punë”, ka theksuar ai.

Madje, lideri i LDK-së, Isa Mustafa thotë se opozita mund ta rrëzojë qeverinë me një mocion, por nuk do ta bëjë këtë. “Duam ta rrëzojmë më mënyrë të rregullt me votën e qytetarëve”, tha Mustafa .

“Zgjedhjet i pranojmë, pa të vdekur brenda tyre, sepse regjistrimi na tregoi se në disa raste kishte më shumë votues sesa banorë. Gjithashtu, duhet pasur vëzhgim ndërkombëtar, e jo vetëm nga OJQ-të e Kosovës. Ndërkohë, edhe duhet që të ketë përfundim të reformave”, ka thënë Mustafa në emisionin “Rubikon”  të KTV-së.

 Duke folur për Prishtinën dhe kandidaturën e mundshme të Korab Sejdiut, kryetari i këtij subjekti ka thënë se do të konsultohet me të gjitha degët e LDK-së në Prishtinë për të gjetur kandidatin me të duhur për kryetar të kryeqytetit.

“S’ka qenë vetëm Sejdiu që ka promovuar vetën, por edhe të tjerë dhe kjo është çështje e demokracisë por sa do t’i pranoj elektorati kjo mbetet të shihet”, ka thëna ai.

Mustafa ka thënë se kryesia nuk ka diskutuar në lidhje me këtë kandidaturë dhe ende nuk janë diskutuar dhe zyrtarisht nuk ka asnjë qëndrim me këtë gjë.

Ai nuk ka përjashtuar edhe vetën si kandidat për Prishtinën, duke thënë se edhe ai mund të jetë kandidat nëse e dëshiron këtë gjë.

I pari i LDK-së nuk e ka mohuar as koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare, por ka thënë se ky nuk do të ishte një opsion i mirë.

Sipas Mustafës, më e preferueshme do të ishte që me partitë e tjera të ketë marrëveshje parazgjedhore, jo koalicion parazgjedhor, në mënyrë që t’i masin forcat e tyre vetanake para se të lidhin çfarëdo lloj koalicioni.

Isa Mustafa është i bindur se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa nuk ka saktësuar nëse do të jap dorëheqje nga partia e tij në rast se i humb ato.

Për t’iu shmangur manipulimeve ai ka thënë se do të kërkojnë që zgjedhjet të mbikëqyren nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe të pastrohen të gjitha listat.

Sa i përket zgjedhjeve lokale ka thënë se presidentja Jahjaga do të gabonte rëndë nëse ato do t’i shtynte për në fund të tetorit, duke mundësuar që edhe balotazhi të mbahet kur dita është më e gjatë.

Mustafa ka folur gjerë e gjatë edhe për marrëveshjen e arritur në Bruksel, dhe ka arsyetuar deputetet e tij që kanë votuar atë, pasi që LDK-ja e ka parë atë si alternativë të vetme për të vendosur rendin dhe ligjin në veri.

Megjithatë ai i ka tërhequr vërejtën kryeministrit Thaçi se nuk duhet të hyjë në dialog tjetër me Serbinë dhe se nuk duhet besuar asaj para se të përbush të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e arritur.

Sipas Mustafës marrëveshja do të mund të bëhet zyrtare vetëm nëse ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›