E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Pakoja e Ahtisaarit, prodhon stabilitet

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë italiane “ANSA”, ka thënë se e vetmja rrugë për bashkim në Ballkan është që Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa pakoja e Ahtisaarit është zgjidhja e vetme që prodhon stabilitet në Ballkan.
 

“Falë Planit të Ahtisaarit, përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara, të drejtat e minoritetit serb në Kosovë garantohen më shumë se në çdo shtet tjetër në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.
 

Në këtë intervistë, ministri ka akuzuar Beogradin për bllokadë në iniciativa rajonale. “Beogradi duhet të ndalet të luftojë Qeverinë e Kosovës, duhet të ndalë bllokimin e Kosovës nëpër iniciativa rajonale që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe në fushën e sigurisë”, ka theksuar Hoxhaj.
 

Në këtë drejtim, ai ka kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Evropian, pasi në Bruksel gjërat po lëvizin ngadalë, për faktin se pesë shtetet anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Duke folur për rritjen e numrit të njohjeve, Hoxhaj ka thënë se në botën arabe shihet një përparim i dukshëm. Ai po ashtu ka thënë se njohja nga Selia e Shenjtë është tepër e rëndësishme për Republikën e Kosovës.
 

Sa i përket marrëdhënieve Itali-Kosovë, ministri Hoxhaj ka thënë se Roma është duke mbështetur fuqishëm Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimeve euro-atlantike.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›