Omani njeh pasaportat e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, pas kontakteve të fundit me përfaqësuesit e Sulltanatit të Omanit, sqaron se ky vend, është i gatshëm të vazhdoj thellimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me Kosovën. Sipas një njoftimi për media thuhet se Pacollit, i është rikonfirmuar mbështetja e Omanit për popullin dhe Institucionet e Kosovës.
“Sulltanati i Omanit njeh pasaportat e Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave, të ideve dhe bashkëpunimin ndërbiznesor”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.
Ndërkaq, Pacolli thekson se çështja e njohjes nga Sulltanati i Omanit, po trajtohet me kujdes, pasi ky vend, sipas njoftimit, edhe zyrtarisht pranon thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Pavarur të Kosovës. Zv/kryeministri i Kosovës ndodhet në Afrikë në kuadër të angazhimeve lobuese për njohje të reja për shtetin e Kosovës.