E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Përgjegjësia është në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për Radion Publike gjermane “Deutschlandfunk”, ka fajësuar Serbinë për dështimin e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Përgjegjësia është në Beograd, sepse ata kanë refuzuar propozimin e baroneshës Ashton dhe të BE-së”, ka thënë Hoxhaj. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të apetiteve territoriale të Serbisë.

“Në takimet e fundit në Bruksel, Serbia ka synuar të jetësojë apetitet territoriale në Kosovë dhe kjo ka qenë e papranueshme për ne, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bashkimin Evropian”.

Hoxhaj ka thënë se askush nuk është i interesuar që të ketë një Bosnje të dytë në Ballkan dhe se askush nuk është i interesuar të krijohet një “Republika Srbska” e re në Ballkan.

Ai ka thënë se e gjithë arkitektura e sigurisë në Ballkan varet nga gjendja e sigurisë në veri të Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›