Hoxhaj: Prezantimi në KS të OKB-së do të bëhet si UNMIK

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, nuk e sheh si kompromis faktin që do të mbajë para vetes një fusnotë që i referohet Rezolutës 1244 dhe Opinionit të GJND-së sa herë që do të marrë pjesë në takime kur prezent mund të jetë edhe ndonjë shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Ministri e pranon se në OKB do të vazhdojë të prezantohet edhe me UNMIK-un, por strategjia e Republikës së Kosovës, sipas tij, do të ndryshojë kur të arrihen 100 njohje, shkruan Koha Ditor.
“Në KS të OKB-së, mjerisht ashtu siç nuk e bën asnjë ministër i rajonit, ish-ministri Hyseni e ka bërë mbi 20 herë. Unë mjerisht e kam bërë shtatë-tetë herë, duhet të raportojmë kështu, derisa dy anëtarë të përhershëm, Rusia dhe Kina, mendojnë se duhet raportuar për Kosovën”, ka thënë ministri Hoxhaj
Në një intervistë për këtë të përditshme, ministri ka thënë se pret qasje më pozitive ndaj Kosovës të pesë vendeve anëtare të BE-së dhe pret lëvizje të tyre drejt njohjes. Sipas Hoxhajt, tek tash ka nisur ora evropiane e Kosovës me të drejtën për të pasur studim të fizibilitetit.