Nelson Mandela në spital

Ish-lideri 93-vjeçar dhe ikonë e anti-aparteidit, ka pasur një përkeqësim të gjendjes shëndetësore në vitet e fundit.
Presidenti aktual i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, deklaroi se dashuria dhe të gjitha lutjet e afrikanëve dhe njerëzve në mbarë botën janë me të.
Në një deklaratë për shtyp, ai kërkoi që Mandeles dhe familjes së tij t’i respektohet e drejta e privatësisë.
Mandela u tërhoq nga aktivitetet publike tetë vjet më parë dhe shfaqja e tij e fundit në publik ka qenë në Kupën e Botës në vitin 2010, të zhvilluar në Afrikën e Jugut. Fituesi i çmimit Nobel për Paqen njihet në mbarë Afrikën e Jugut me pseudonimin Mandiba.
Ai kaloi 27 vjet në burg për veprimet e tij kundër regjimit, derisa u lirua në vitin 1990. Katër vjet më vonë, ai u bë presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut dhe u tërhoq në vitin 1999, pas vetëm një mandati.