E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Serbia, ajo që ka qenë dikur

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në një intervistë për Gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” ka theksuar se që nga tetori i vitit 2000, kur Millosheviqi u largua nga pushteti e deri në maj të vitit 2012, rreth 12 vitesh partia demokratike e ish-kryeministrit serb Gjingjiq dhe ish-presidentit Boris Tadic ka dominuar jetën politike, duke krijuar një përshtypje se Serbia po demokratizohet dhe po bën reforma në rrugën e saj për integrim evropian.

“Rezultati zgjedhor i majit të këtij viti, zgjedhja e Nikoliqit për president të Serbisë, fuqizimi i partive konservatore që ishin dikur aleatë të Millosheviqit gjatë luftërave në ish Jugosllavi si dhe vetë partisë se ish-diktatorit Millosheviq janë një tregues se Serbia është rikthyer në të kaluarën - në nacionalizimit radikal”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, kjo tregon se çdo gjë që është propaganduar për 12 vite që Serbia po ndryshon ka qenë vetëm ndryshimi në sipërfaqen e saj dhe substanca e kulturës politike institucionale dhe publike serbe mjerisht ka mbete ajo që ka qenë dikur.

Megjithatë, kryediplomati kosovarë ka vlerësuar se Republika e Kosovës do të vlerësojë dhe gjykojmë sjelljen politike serbe në bazë të veprimeve dhe sjelljeve të tyre në të ardhmen dhe jo në bazë të së kaluarës së tyre, e cila përmban padyshim një trashëgimi të rëndë.

“Lajmet e para që vijnë nga jeta politike serbe pas zgjedhjeve politike atje nuk janë edhe shumë premtuese. Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë, se Vukovari na qenka një qytet serb dhe qëndrimi që Serbia nuk do të njeh Kosovës, edhe nëse i rrezikohet e ardhmja evropiane, të gjitha këto janë elemente të një politike të së kaluarës, e cila atëbotë solli shumë dhunë, luftëra dhe dhimbje”, ka theksuar ai.

Duke vlerësuar zgjedhjen e sigurisë në tri komunat e veriut të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se situata në veri të vendit, ku edhe pas 13 vjetëve pas çlirimit të Kosovës dhe 5 viteve të pavarësisë, ka qenë nën ndikimin e grupeve kriminale dhe strukturave ilegale të policisë, forcave të sigurisë dhe formacioneve paramilitare të Serbisë.

“Bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë dhe qendra të rëndësishme vendimmarrëse nuk kanë bërë presion të domosdoshëm dhe sistematik mbi Serbinë për zhbërjen e këtyre strukturave nga tri komunat veriore të Kosovës. Mendoj se është koha e fundit që kjo të ndodhë”, ka paralajmëruar Hoxhaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›