E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj dorëzon në Tajlandë kërkesën zyrtare për njohje

PRISHTINË - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron për një vizitë dy ditore në Mbretërinë e Tajlandës, i dorëzoi homologut tajlandez, Surapong Tovichakchaikul, kërkesën zyrtare për njohjen e Kosovës, shtet sovran e të pavarur.

Në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, thuhet se "ministri Hoxhaj e ka njohur homologun tajlandez Tovichakchaikul me zhvillimet në Republikën e Kosovës". 

"Kosova në pesë vjetët e pavarësisë është një shtet modern, funksional, stabël dhe përbëhet nga një shoqëri shumë-etnike dhe në të njëjtën kohë ka një rritje të qëndrueshme ekonomike", theksoi Hoxhaj.

Ai u shpreh se "ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Tajlandës dhe t’i forcojmë lidhjet e bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të dy vendeve dhe popujve tanë".

Ministri i Jashtëm i Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, ka mirëpritur vizitën e ministrit Hoxhaj në Tajlandë dhe e ka siguruar atë që kërkesa për njohje do të shqyrtohet seriozisht nga ky shtet.

"Në një të ardhme të afërt do të dëgjoni lajme pozitive për Kosovën", ka thënë ministri Tovichakchaikul, duke shtuar se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë.

Në këtë takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Tajlandës dhe Republikës së Kosovës. Ministri Hoxhaj tha se "përtej marrëdhënieve diplomatike, duhet të ketë bashkëpunim në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës".

"Investitorët tajlandez janë të mirëseardhur të investojnë në Republikën e Kosovës, meqë vendi ynë ka potenciale të mëdha për investime kapitale dhe infrastrukturë ligjore që mbështesin investimet e huaja, popullatë shumë të re dhe dinamike", përfundoi Hoxhaj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›