Hoxhaj kërkon përkrahjen e Lituanisë gjatë kryesimit të presidencës së BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në një takim të ngarkuarin me punë të Republikës së Lituanisë në Sofje, Darius Gaidys, misioni i të cilit e mbulon Kosovën nga Bullgaria.
“Gjatë takimit njoftues, Hoxhaj ka vlerësuar raportet shumë të mira ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Lituaninë. Gjatë takimit, Hoxhaj foli edhe për progresin në Kosovë, konsolidimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
I ngarkuari me punë i Republikës së Lituanisë në Sofje, Darius Gaidys, i cili gjatë këtij takimi ka dorëzuar edhe letrat zyrtare për mbulimin e Kosovës nga Ambasada e Lituanisë në Bullgari, theksoi përkrahjen e shtetit të tij për proceset në Kosovë.
Hoxhaj dhe Gaidys, kanë biseduar edhe për përkrahjen e Lituanisë për Kosovën gjatë periudhës Korrik–Dhjetor 2013, kur Lituania do të ketë kryesimin e presidencës së Bashkimit Evropian./Indeksonline./