Qeveria e Maqedonisë, vendim për riparimin e Shtëpisë së Alfabetit Shqip

Qeveria maqedonase ka obliguar Ministrinë e Kulturës që të ndërmarrë masat e nevojshme për mbulimin e dëmit material, pas sulmit vandal ndaj objektit të Shtëpisë së Alfabetit Shqip në Manastir, të shpallur zyrtarisht si muze.
Lajmin e bën të ditur për “Zhurnal” zëdhënësi shqiptar i qeverisë, Muhamed Hoxha, duke informuar se vendimi në formë të konkluzionit është sjellë në seancën e së martës, pas pranimit të informacionit të përgatitur nga Ministria e Kulturës.
“Më këtë rast Qeveria e RM-së, pas shqyrtimit të informacionit, miratoi konkluzionin me të cilën obligoi Ministrinë e Kulturës që të mbulojë dëmin material të vlerësuar nga ana e komisionit të formuar nga vetë drejtori i Muzeut, dhe të mënjanojë në afat sa më të shkurtër kohor të gjitha dëmet, duke kthyer objektin në gjendjen e mëparshme”, ka deklaruar Hoxha.
Por, nuk mbaron këtu vendimi i Qeverisë, sepse kjo e fundit ka obliguar edhe Ministrinë e Financave, të sigurojë mjete shtesë për këtë institucion.
“Në po këtë mbledhje, Qeveria obligoi Ministrinë e Financave të shqyrtojë mundësinë e sigurimit të mjeteve plotësuese për Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, në funksion të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe të administrimit të këtij objekti të rëndësishëm për kulturën gjithëshqiptare”, ka theksuar Hoxha./Indeksonline/