Hoxhaj përshëndet vendimin e Malit të Zi për hapjen e Ambasadës

Në telegram, ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun malazez për vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të hapur ambasadën në Prishtinë.
“Ne e mirëpresim hapjen e ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë. Republika e Kosovës tashmë ka filluar procedurat për hapjen e ambasadës në Podgoricë. Hapja e këtyre ambasadave hap një kapitull të ri në marrëdhëniet tona bilaterale. Këto marrëdhënie të shkëlqyeshme janë garantues i përhershëm i stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan si dhe i integrimeve euroatlantike të dy shteteve”, thuhet në këtë telegram.
Ministri Hoxhaj vlerëson se hapja e misioneve dhe shkëmbimi i ambasadorëve ndërmjet Kosovës me pothuajse të gjitha vendet fqinje, konfirmon marrëdhëniet shumë të mira të shtetit tonë me vendet fqinje dhe rolin e fuqishëm stabilizues në rajon të Republikës së Kosovës.
Derisa në vendimin e Qeverisë së Malit të Zi thuhet se hapja e ambasadës në Prishtinë i kontribuon vazhdimit të vendosjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore, si një nga kriteret më të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën i ka vendosur më 15 janar të 2010.
Mali i Zi hap ambasadën në Kosovë
Qeveria e Malit të Zi ka marrë vendim sot që të hap ambasadën të këtij shteti edhe në Kosovë për të mundësuar kështu, siç thuhet në vendim, avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Mali i Zi pavarësinë e Kosovës e ka pranuar në tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën i ka nisur nga 15 janari i vitit 2012.
Ende nuk është bërë e ditur se kur Podgorica dhe Prishtina do t’i shkëmbejnë ambasadorët dhe as kush do ta përfaqësojë Malin e Zi në Kosovë, raporton Kosovapress.