E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhërrëfyesi, etapë e re për Kosovën dhe BE'në

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, sot para ligjvënësve ka falënderuar Bashkimin Evropian, i cili ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, duke thënë se Kosova do të përmbush të gjitha ato obligime që dalin nga ky udhërrëfyes.

Ndërkohë ka vlerësuar lartë tri vendime që janë marr brenda një viti, siç është momenti i 25 korrikut, organizimi i zgjedhjeve serbe nga ana e OSBE-së në Kosovë, si dhe momenti i tretë, vendimin për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.

Këtë të fundit, hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e ka kritikuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se themelimin e ndonjë institucioni, në veri, duhet ta bëjnë institucionet e sigurisë dhe jo Qeveria e Kosovës.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se pas fillimit formal të dialogut për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian dje, edhe zyrtarisht, ka miratuar udhërrëfyesin për Kosovën.

Sipas tij, Kosova tash e një vit e gjysmë apo dy ka qenë e gatshme t’i përgjigjet udhërrëfyesit.

“Ky është lajm i vonuar, por i shumëpritur. Dje u hapë një etapë e re me BE-në. Të gjitha që dalin nga ky proces, Qeveria do t’i trajtojë me seriozitet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në BE. I falënderoj kryetarët e komunave, gjithë partitë politike për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin këtij procesi, OJQ-të dhe mediat”, ka theksuar Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova do t’i plotësojë të gjitha obligimet që dalin nga udhërrëfyesi, qoftë në legjislacion, ekonomi apo politikë.

Ndërkohë, ai ka thënë se në vitin e fundit janë tri momente vendimtare që kanë ndodhur për veriun. Sipas tij, momenti i parë është 25 korriku kur definitivisht u shuan ëndrrat e Serbisë për ndarjen e Kosovës, momenti i dytë ishte organizimi i zgjedhjeve serbe nga OSBE, ku dëshmua se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje dhe momenti i tretë është vendimi për hapjen e Zyrës Administrative, në veri të Mitrovicës.

Thaçi ka thënë se ajo zyrë do të jetë funksionale në veri, do të ketë rol ekzekutiv dhe do të ketë shtatë drejtori dhe 90 punëtorë.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se këto ditët e fundit u prezantua me shumë bujë hapja e Zyrës Administrative në veri, përpjekje kjo që u duartrokit edhe nga disa parti opozitare.

Konjufca ka thënë se krijimi i kësaj zyre është gabim, pasi që siç ka thënë ai qeveria po mundohet të bëjë integrimin për këtë pjesë, nëpërmjet garës me Beogradin se kush mund të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët e asaj pjese.

Ai ka pohuar se themelimin e ndonjë institucioni në veri duhet të bëjnë institucionet e sigurisë dhe jo Qeveria e Kosovës.

“Nëse ka nevojë për themelimin e ndonjë institucioni në veri, këto janë institucionet e sigurisë së Kosovës. Të krijosh zyre atje, kur edhe Beogradi ka institucionet e MUP-it është sikur Bajram Rexhepi që vendosi kontejner plastike”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, pa shpërbërjen e strukturave paralele, çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese do të mbetet vetëm dëshirë.

Konjufca ka thënë se Serbia në veri po kërkon më shumë se plani i Ahtisarit dhe duke e parë që Qeveria nuk e ka ndërmend t’i shpërbëjë strukturat kriminale serbe, atëherë po shihet se qeveria do të përfundojë në negociata. “Hyrja në negociata nuk na sjellë asgjë tjetër veçse autonomi për veriun dhe ndarje të Kosovës. Populli i Kosovës do të organizohet më shumë që kjo mos të ndodhë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është një lajm i mirë për Kosovën. Por, sipas tij, udhërrëfyesi ka me përmend dukurinë e korrupsionit të lartë në vend, papunësinë dhe dukuri të tjera.

“Udhërrëfyesi definitivisht ka me të thënë: uleni korrupsionin, uleni papunësinë, uleni krimin e organizuar, ndreqni spitalet, ndreqni shkollat, punësoni njerëzit. Kjo është rruga, ky është udhërrëfyesi”, ka theksuar Gjini.

Nga ana tjetër, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Florin Krasniqi ka kritikua procesin e privatizimit të Distribucionit të KEK-ut. Sipas tij, dy firmat Limak dhe Çani kanë formuar konzorcium dhe kanë mbështetur një firmë të Egjiptit.

Krasniqi ka shprehur dyshimet se kjo firmë nga Egjipti nuk ka pasur asnjë zhvillim në 14 muaj e fundit në Kosovë dhe, siç ka thënë ai, me prapaskena po tentohet t’i jepen asetet e KEK-ut kësaj kompanie.

Por ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se këtu është një ekonomi e lirë e tregut dhe ky proces është duke shkuar në bazë të praktikave ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se të gjithë ata punëtorë të KEK-ut që kanë pasur kontrata një muaj ose dy muaj, ata kanë tri vjet kontratë të punës.

Beqaj ka thënë se është i gatshëm të flet për procese transparente, por jo edhe për prapaskena.

Një shqetësim tjetër ka ngritur edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka përmendur vdekjen e një të riu nga Rahoveci, i cili ishe pickuar nga rriqrat.

Sipas saj, numri i atyre që janë pickuar nga rriqrat arrin në 400, duke kërkuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës. “Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të ndajë mjete buxhetore për ta luftuar këtë. Luftimi me pesticide duhet të ndodhë sa më shpejtë. Me disa qindra mijëra euro nga Ministria e Financave e më pak ndihmë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo nuk duhet të merret si thirrje e LDK-së, por e Kuvendit të Kosovës që të merren masa sa më shpejt”, ka thënë Bajrami.

Seanca ka vazhduar punimet me pyetje parlamentare, ku më shumë kanë qenë të adresuara për ministrin e arsimit, Ramë Buja, për të vazhduar më pas me votimin e Projektligjit për Diasporën dhe Projektligjit për ndërtime.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›