E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strukturat paralele, sfidë për decentralizim

Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të sjellë përgjegjësi edhe më të mëdha për komunat e Kosovës, pasi që ato do të duhej të mbështeten më shumë në forcat e tyre, për të gjetur mundësi të ndryshme se si t’u ofrojnë kushte për jetesë më të mirë qytetarëve të vet. Edhe pse komunat në përgjithësi kanë shënuar arritje, ende mbeten sfidë e madhe strukturat paralele të krijuara nëpër komuna. Vetë përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për ta themeluar zyrën e re në veriun e Mitrovicës janë indikacione të qarta për përkushtimin e saj për t’i vazhduar këto procese.

Këto vlerësime u dhanë të enjten gjatë konferencës me temën “Sukseset dhe sfidat e komunave të reja të Kosovës”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell u ka thënë përfaqësuesve të komunave se me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ata duhet t’i përvjelin mëngët, pasi që përgjegjësia mbi supet e tyre do të jetë më e madhe. Ai tha se kjo situatë ndoshta do t’i vë ata në siklet, sepse do të duhej të mendonin më mirë se si të krijojnë më shumë të hyra për të krijuar kushte sa më të mira për qytetarët e vet. Dell theksoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta themeluar zyrën administrative në veri të vendit, flet më së miri për përkushtimin që ajo ka në krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e saj.

“Ky vit shënon një të arritur tjetër në zhvillimin e Kosovës si shtet, fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky proces i tranzicionit në të cilin do të hyni ka një ndikim në komuna, e për juve fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë do të sjellë përgjegjësi më të mëdha, sepse do të duhet që të mbështeteni më shumë në forcat tuaja, duhet të gjeni rrugë të tjera për të rritur të hyrat tuaja, për të mbështetur investimet kapitale dhe për të përmirësuar shërbimet publike dhe kjo ndoshta do të mund t’ju shqetësojë nga pak, ose t’ju nxjerrë jashtë zonës së rehatisë, por po ashtu ju jep një mundësi të madhe dhe kjo konferencë që po mbahet pikërisht në prag të fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë si dhe me fjalën për të themeluar zyrën e re në veriun e Mitrovicës, janë indikacione të qarta për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për t’i vazhduar këto procese edhe në fazën e pas pavarësisë”, ka thënë ai.

Dell ka shtuar se vetë fakti që kemi përfaqësim të komunave të reja të përfaqësuara këtu edhe ato jo serbe, po ashtu thekson rëndësinë se ky proces nuk ka të bëjë vetëm me etnitetet, me shqiptarët apo serbët, por si Qeveria e Kosovës u jep shkallën më të mirë të shërbimeve për të gjithë qytetarët ku ata jetojnë.

Ndërsa Shefi i ICO-së, Piter Feith ka thënë me këtë rast se është e qartë se sfida më e madhe në procesin e decentralizimit mbetet krijimi i komunës së re në veri të Mitrovicës, duke e mbështetur vendimin e qeverisë për hapjen e zyrës administrative për atë pjesë të vendit.

“Është e qartë se detyra më e rëndësishme, e cila mbetet në agjendën e decentralizimit, është themelimi i komunës së re në komunën e Mitrovicës. Javën e kaluar Qeveria e Kosovës e ka marrë një hap shumë të rëndësishëm drejt realizimit të këtij synimi, me vendimin për themelimin e zyrës administrative për Mitrovicën veriore. Kjo zyrë do të mbindërtojë sukseset e realizuara që nga viti 2010, që po ashtu kanë dëshmuar se ka nevojë që shërbimet qeveritare të zgjerohen duke përfshirë edhe këtë rajon”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se që nga fillimi ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës, janë kyçur në diskutime shumë serioze me komunitetin serb sa i përket shqetësimeve dhe rezervimeve të tyre. Ai ka falënderuar përfaqësuesit e komunave për guximin e tyre që t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë në këtë proces.

Feith tha se këtë vit do të përfundojë misioni i tij në Kosovë, duke ia bartur kompetencat Qeverisë dhe komunave përkatëse.

Ai përmendi edhe pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat i cilësoi si një hap kyç për decentralizimin, pasi që ka siguruar kandidatët me baza legjitime për të marrë detyrat në administratën lokale dhe për të pasur administratë lokale, dhe sipas tij, ka nënkuptuar një hap të konsiderueshëm dhe të rëndësishëm drejt pajtimit në mes të komuniteteve.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç ka thënë se të gjitha komunat kanë shënuar përparim në përmirësimin e kushteve për qytetarët e vet, por si sfidë i ka cilësuar strukturat paralele të krijuara nëpër komunat e reja.

“Komunat e reja kanë shënuar përparim në kuptim të marrjes së përgjegjësive të tyre, siguria dhe marrëdhëniet ndër komuniteteve kanë shënuar rritë dhe trendi është pozitiv, e posaçërisht në komunat e reja, të cilat janë sot këtu të pranishme. Po ashtu mbetet sfidë fakti se ekzistojnë struktura paralele, të cilat funksionojnë në komunat e reja, nuk e kanë për qëllim që t’i pengojnë funksionimin e përgjithshëm të komunave, mirëpo, mbesin si sfidë, posaçërisht në pjesën veriore”, ka thënë ai.

Ai shtoi se decentralizimi është në drejtim të mirë atëherë kur e dini se qytetarët do të mund t’i shohin përfitimet nga ky proces dhe ofrimi i shërbimeve në këtë kuptim ka shënuar përparim të madh, por edhe më tutje mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Petroviç tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’u ndihmojë këtyre komunave për krijimin sa më të mirë të kushteve për qytetarët e vet. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›