E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhalli: EBU hyn në RTSH për procesin e reformës, do stabilizojmë situatën financiare

Në seancën e sotme (17 nëntor) dëgjimore, para Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar prezantoi vërejtjet dhe propozimet mbi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”. Kryetari i Këshillit, Fatjon Hoxhalli, theksoi se prezantimi ishte ndarë në dy pjesë, ku drejtoresha e përgjithshme do të paraqiste aspektet teknike, ndërsa ai u ndal në disa çështje kyçe të përgjithshme.

Hoxhalli vuri në dukje një zhvillim pozitiv gjatë pesë muajve të fundit, ku RTSH ka arritur të përmirësojë dukshëm ecurinë financiare duke ulur me rreth 30% nivelin e borxheve të mbuluara, krahasuar me fillimin e vitit.

Ai theksoi se kjo është arritur përmes forcimit të disiplinës financiare, pa cenuar funksionimin e institucionit apo cilësinë e programacionit.

“Prezantimin e detajuar e kemi organizuar në dy pjesë, drejtoresha e përgjithshme do bëj pjesën e detajuar ndërsa unë do ndalem në disa konsiderata të përgjithshme. Do të shmang përsëritjen e analizës së gjendjes aktuale të RTSh të cilën e kemi trajtuar gjerësisht gjatë prezantimit të raportit vjetor. Dua të ndajë me ju një zhvillim pozitiv, vetëm gjatë 5 mujorit të fundit RTSh ka arritur të ndryshojë kahun e ecurisë financiare duke ulur borxhet të mbuluara me rreth 30% në raport me situatën në fillim të vitit. Kjo fal ndërhyrjes në disiplinë financiare dhe pa ndikuar aspak në funksionimin normal të institucionit apo në cilësinë e programacionit”, u shpreh Hoxhalli.

Sipas tij, sezoni i ri televiziv ka nisur plotësisht, ndërsa procesi i uljes së borxheve vazhdon me kujdes. Kryetari i Këshillit shtoi se me mbështetje shtesë nga buxheti i shtetit, kjo kthesë pozitive mund të përshpejtohet, duke hapur rrugë investimeve në teknologji dhe përmirësimit të trajtimit financiar të punonjësve.

Ai nënvizoi se stafi i RTSH gjatë kësaj periudhe është përqendruar në dy drejtime të rëndësishme: garantimin e funksionimit normal të institucionit dhe menaxhimin e situatës financiare, si dhe përgatitjen për procesin e transformimit institucional në bashkëpunim me ekspertët e EBU-së, puna e të cilëve pritet të nisë zyrtarisht të nesërmen në ambientet e RTSH.

“Sot sezoni i iri televiziv është nisur në tërësinë e tij, ndërsa procesi i uljes së borxheve vijon me shumë kujdes. Me mbështetje shtesë nga ana e buxhetit kjo kthesë pozitive financiare mund të përshpejtohet duke i hapur rrugë investimeve në teknologji dhe trajtimeve të punonjësve me paga më të mira. Gjatë kësaj periudhe angazhimi i stafit të televizionit ka qenë i orientuar në dy drejtime kryesore. Së pari garantimi i funksionimit normal të institucionit dhe menaxhimi i situatës financiare. Së dyti përgatitjen për procesin e transformimit institucional në bashkëpunim më EB, puna e të cilëve nis zyrtarisht nesër në zyrat e RTSH. Kemi marrë masa që asnjë nga proceset e mësipërme të mos ndërhyjë në pengimin e tjetrit. Projekt buxheti për vitin 2026 është hartuar në përputhje më programin buxhetor afatmesëm 2026-2028”, tha kryetari i Këshillit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›