E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoze Murinjo nderohet nga Universiteti i Lisbonës

Lisbonë - Trajneri njohur i Interit, Hoze Murinjo, është dekoruar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lisbonës, aty ku është diplomuar para 20 vjetësh për edukatë fizike dhe sportive. Gjatë ceremonisë Murinjo ishte i veshur me një kostum gri, dhe më pas u mbulua me një uniform të zezë.

Pasi në qafë iu vendos medaljoni, Murinjo u shpreh: “Nuk jam i sigurtë nëse e meritoj këtë titull apo jo. Jam i befasuar. Mbase jam një burim krenarie për fakultetin, por unë e kam ndjekur karrierën pa menduar shumë për gjërat”.

Universiteti i Lisbonës deklaroi se dekorata është një mirënjohje për sukseset profesionale të Murinjos. Trajneri portugez arriti të fitonte Ligën e Kampioneve me Porton në sezonin 2003-2004, ndërkohë që një vit më parë pati fituar edhe Kupën Uefa me këtë ekip. Më pas ai kaloi në Premier Ligë tek skuadra e Çelsit, ku arriti të fitonte dy tituj kampionë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›