E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hua Kuo Fen mbërrin në Bukuresht, rusët “mbrojnë” Shqipërinë

Autori i Lajmit: Androkli DraloBukuresht, 17 gusht 1978 – Kryetari i Partisë Komuniste Kineze, Hua Kuo Fen, theu traditën shekullore të izolimit kinez kur mbërriti këtu në kryeqytetin rumun ditën e djeshme për një vizitë që shënoi angazhimin dhe përfshirjen e re të Pekinit në çështjet e botës. Në vizitën e parë shtetërore bërë nga një sundimtar kinez në Perëndim të Bashkimit Sovjetik, Feni zgjodhi oborrin evropianolindor të Kremlinit për të shfaqur mbështetjen për presidentin Nikolae Çaushesku dhe politikën e tij rebele të pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik. Në një formë të mirë dhe energjik, udhëheqësit 58-vjeçar kinez iu rezervua një pritje shumë e bujshme që nisi me shkëmbimin e puthjeve me Çausheskun dhe përfundoi me hyrjen triumfuese të autokolonës eskortë në Bukuresht. Qindra mijëra rumunë ishin rreshtuar anash rrugëve të qytetit dhe nuk reshtën së thirruri “Hua, Hua” pa ndërprerje për rreth një orë. Në hyrje të qytetit, limuzina e zbuluar Mercedes me dy udhëheqësit brenda, ndaloi për një ceremoni të shkurtër, në të cilën Fenit iu akordua një çmim nga bashkia. Të dy udhëheqësit e lanë makinën në sheshin Viktoria, në zemër të Bukureshtit për tiu bashkuar qindra rumunëve të veshur me kostume shumëngjyrëshe kombëtare. Feni, i ngazëllyer, takoi disa nga kërcimtarët dhe për pak çaste iu bashkua grupit të kërcimit, duke përshëndetur në mënyrë tradicionale. Pritja e organizuar me shumë kujdes, dukej se i shkonte për shtat simbolizmit të rastit. Kinezët, të cilët kishin pohuar se qëllimi i tyre ishte vendosja e një “fronti të bashkuar kundër hegjemonisë”, ose dominimit sovjetik, zgjodhën për Fenin Evropën Lindore, me sa duket, për të shfaqur limitet e fuqisë sovjetike, duke qenë se ky shtet është thelbësor për interesat e Moskës. Burime diplomatike nga këtu thanë se koha e qëndrimit ishte përcaktuar nga Pekini dhe Feni do ta përfundojë shumë shpejt udhëtimin këtu për të nisur një vizitë 7-ditore në Jugosllavinë e presidentit Tito më 21 gusht, që përkon me datën kur forcat e Traktatit të Varshavës pushtuan Çekosllovakinë (1968) për të rrëzuar qeverinë liberale komuniste të Aleksander Dubçekut. Edhe pse si një anëtare e këtij traktati, Rumania refuzoi të merrte pjesë në këtë veprim të ndërmarrë nga Moska. Jugosllavia, e cila është e paangazhuar, por që qeveriset nga një qeveri komuniste, ishte njëra nga kritikueset më të ashpra të këtij pushtimi. Përtej sfidës ideologjike, zhvillimet e lidhjeve të ngushta me Rumaninë dhe Jugosllavinë i shkojnë për shtat politikës së Pekinit për të rrethuar Kremlinin. Kinezët po i vijnë rrotull Evropës Perëndimore dhe ata sapo kanë firmosur një traktat “paqeje dhe miqësie me Japoninë. Rumunët kanë marrë të gjitha masat e mundshme për të mos u dhënë sovjetikëve ndonjë arsye të dukshme për ti sulmuar. Një editorial ditën e djeshme në faqe të parë të “Scinetia”, gazetës së partisë, thoshte se Kina luan një rol thelbësor në luftën “kundër imperializmit, kolonializmit, neokolonializmit dhe çfarëdo lloj tjetër dominimi dhe shtypjeje. Duke pohuar se lidhjet kino-rumune bazohen tek “solidariteti kundër nënshtrimit dhe dominimit të jashtëm”, editoriali erdhi deri në atë pikë sa Rumania mund tia lejonte vetes konceptin kinez të “antihegjemonisë” apo kundërshtimit të dominimit sovjetik. Për rumunët, vizita e Fenit është një shfaqje e solidaritetit e shoqëruar nga lutjet e nënkuptuara për ndihmë. Ndërsa rumunët janë të vetëdijshëm për rreziqet në të cilat janë përfshirë, ata kanë vendosur të bëjnë presion në limitet e tolerancës sovjetike me besimin se udhëheqja e vjetër e Kremlinit tashmë është më shumë e shqetësuar me sfidën globale të Pekinit dhe nga ajo e shkatërrimit të marrëdhënieve sovjeto-amerikane gjithashtu. Pavarësisht shenjave të jashtme të besimit, zyrtarët rumunë po bëjnë çështë e mundur për ta vendosur vizitën e Fenit në kontekstin bilateral. Çaushesku dhe Feni kanë diskutuar vetëm tre muaj më parë, gjatë vizitës së delegacionit rumun në Pekin. Që prej asaj kohe, Rumaninë e kanë vizituar dy delegacione të larta ushtarake kineze. Por e gjitha kjo, këtu shpjegohet si një dialog normal mes dy vendeve socialiste. Pritja për që iu bë Fenit ditën e djeshme ishte spektakolare. Udhëheqësi kinez, i shoqëruar nga anëtari i Byrosë Politike, Çi Ten Kuei, ministri i Jashtëm, Huan Hua, dhe 16 zyrtarë të tjerë, mbërritën në aeroportin “Otopeni” në orën 10 të mëngjesit. Aeroporti ishte një kamp virtual i blinduar prej ditësh, ku çdo pëllëmbë e tij kontrollohej rreptësisht nga forcat e armatosura. I veshur me një xhaketë gri ushtarake, Feni, i cili është gjithashtu dhe kryeministër i vendit, u shfaq nga avioni i prodhimit sovjetik, “IL62”. Për të shmangur fluturimin mbi vijën ajrore sovjetike, avioni fluturoi nga Irani, ku Feni dhe delegacioni kinez kaluan natën. Pas vizitës në Jugosllavi, ata pritet të bëjnë dhe një ndalesë në Teheran. Aeroporti ishte i mbushur me aktivistë të partisë dhe pionierë të vegjël që mbanin në duar flamuj dhe balona. Ata nxiteshin të brohorisnin nga autoritetet, por dhe nga dëshira se atë ditë e kishin pushim. Feni dhe Çaushesku bën paradën ushtarake dhe nuk mbajtën asnjë fjalim në aeroport. E gjithë ceremonia u transmetua direkt në radio dhe televizion. Sapo eskorta hyri në Bukuresht, rrugët u mbushën me njerëz që në duar valëvisnin buqeta me lule dhe flamuj rumunë dhe kinezë. Qeveria këtu, i organizon të tilla pritje duke pezulluar punën për punëtorët, me synimin që ata të jenë pjesë e dekorit gjatë rrugës së eskortës. Në disa rrugë, të rinjtë me kostume të verdha sportive performonin ushtrime të ndryshme ndërsa autokolona kalonte. Kudo kishte kërcimtarë të ansamblit madje dhe një grup i madh vajzash rumune që kërcenin vallet tradicionale kineze. Autokolona kaloi gjithashtu dhe përpara ambasadës sovjetike. Në sheshin Viktoria, në hijen e monumentit të ushtarëve sovjetikë rënë në Luftën e Dytë Botërore, ishin mbledhur shumë grupe kërcimi popullore për të zbavitur mysafirin nga Kina. Llogaritjet zyrtare të numrit të njerëzve në tubimin e djeshëm nuk ishin të disponueshme, por ato i kalonin me siguri qindra mijërat. Më pas Çaushesku dhe Feni nisën zyrtarisht bisedimet gjatë një dreke private mbajtur në ish-pallatin mbretëror. Burimet diplomatike këtu thanë se marrëveshjet do të bëheshin publike gjatë ditëve në vazhdim. Një nga këto pakte do të kërkojë dyfishimin e shkëmbimeve tregtare në 1 miliardë dollarë deri në vitin 1980. U fol gjithashtu që dy vendet të hapnin konsullata në Shangai dhe Konstancë. Megjithatë, kjo e fundit pritet të kundërshtohet ashpër nga Moska, pasi Konstanca gjendet në Detin e Zi, afër bazave detare kryesore sovjetike. Në prag të vizitës së Hua Kuo Fenit Bashkimi Sovjetik shprehu besimin se “popujt e vendeve të Ballkanit nuk do të lejojnë që ky rajon i rëndësishëm të shndërrohet në një objekt intrigash dhe kërcënimesh përdorimi force, të cilat janë kërcënuese ndaj paqes së rajonit”. Ai pohoi gjithashtu se politika e jashtme kineze është “tmerrësisht armiqësore ndaj interesave të paqes dhe socializmit”. Kjo deklaratë ishte pjesë e një komunikate zyrtare rreth diskutimeve mes presidentit sovjetik, Leonid Brezhnjev dhe udhëheqësit bullgar, Todor Zhivkov. Botimet e besueshme sovjetike e kanë kritikuar politikën kineze për Ballkanin, duke përdorur një letër të fundit të Shqipërisë, menjëherë pasi Kina përkeqësoi marrëdhëniet me ish-aleatin e saj të vetëm evropian. Sovjetikët citojnë pjesë të letrës, ku shqiptarët pretendojnë se kinezët në vitet 1968 dhe sërish në 1975 e kishin detyruar atë të krijonte aleanca ushtarake me Rumaninë dhe Jugosllavinë, “sepse duke qenë vend i vogël, ata nuk mund ta mbronin veten” kundër imperialistëve amerikanë dhe “hegjemonistëve” sovjetikë.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›