E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër “Dëmshpërblimi jo si për banorët e Gërdecit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama së bashku me deputetët e qarkut Durrësit e të Shkodrës ka qenë në komunën Dajçit dhe të Velipojës, në disa fshatra të kësaj komune. Për të shkuar në komunën e Velipojës është dashur të udhëtohet me një motobarkë. Gjatë rrugëtimit Rama dhe deputetët, panë bagëti të ngordhura në ujë, shtëpi të cilave iu dukeshin vetëm çatitë dhe ujësjellësin e komunës i cili ishte tërësisht nën ujë dhe jashtë funksionimit. Rama i shoqëruar dhe nga deputetët Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqja e Tom Doshi tha para banorëve të këtyre zonave se dëmshpërblimi duhet të bëhet menjëherë me vlerësimin e dëmit për të mos u përsëritur e njëjta situatë si në Gërdec.
Rama
“Unë e shikoj si domosdoshmëri që kriteret e dëmshpërblimit të jenë gati dhe që në momentin e përcaktimit të dëmeve, menjëherë të lëvrohet fondi i domosdoshëm për ti dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit këta njerëz. Jo siç ndodhi me ata të shkretët në Gërdec, ku disa u trajtuan si të nënës dhe shumica u trajtuan si të njerkës dhe u la në harresë gjithë ajo plagë e madhe që vazhdon të jetë e hapur për shumë e shumë familje dhe jo vetëm një plagë e mungesës së drejtësisë, por plaga e madhe e pasojave ekonomike”, - tha dje Rama gjatë takimit me banorët e Dajçit dhe të Velipojës. Sipas tij po ashtu është e domosdoshme që qeveria të nxjerr një fond asistence të menjëhershme ekonomike dhe sociale për këto familje, duke ju dhënë para në dorë, në mënyrë që tju dalin për zot nevojave të tyre të ditës dhe të mos presin nga qielli se do të bjerë apo jo një thes me miell apo do të zbresë një shishe me ujë. “Kjo është një nga ato katastrofa që nuk mund të mbulohet. E vërteta e këtyre katastrofave mund të vonojë, por nuk do të harrojë, sepse është e pamundur që për shkak të keqqeverisje dhe për arsyen që lidhen me babëzinë, që lidhen me korrupsionin që lidhen me fshehjen e një grope të madhe ende plotësisht të pa bërë publike, siç është gropa e krizës ekonomike, është absolutisht e pamundur që kjo katastrofë të mos zbardhet dhe që e vërteta të mos dalë”, - pohoi kryesocialisti. Rama shtoi se e vërteta e këtyre lloj katastrofave mund të vonojë, ashtu siç po vonon e vërteta e Gërdecit, ashtu siç po vonon e vërteta e tunelit të Kalimashit dhe siç me siguri do të vonojë e vërteta edhe e kësaj përmbytje, por ai shprehu bindjen se asgjë nuk harrohet. “Unë jam i bindur se këto katastrofa janë kaq të rënda, dhe me kaq pasoja, sa që e vërteta nuk mund dhe nuk do të harrojë. Është absolutisht e domosdoshme që të gjithë së bashku të luftojmë për këto të vërteta, sepse përndryshe nuk do të kemi kurrë shtet, por do të kemi vetëm një pushtet që do përdor shtetin për interesat e një grushti njerëzish, klanor e partiak”, - tha ai. Ndërsa banorët gjatë bashkëbisedimin kanë shprehur shqetësimet e tyre. Njëri prej banorëve ka fajësuar Kryeministrin për situatën. Sipas tij po të ishin hapur portat me kohë sishte bërë kjo punë. “Shet energjinë shtrenjtë dhe populli ngel pa hangar. Sbëhet kështu. Ndaj të mbajë përgjegjësi deri në një, jo Dritan Prifti po Sali Berisha. Se Dritan Priftin e urdhëron Sali Berisha”, - tha ai. Ndërsa një tjetër banor pohoi se situata nuk mund të përballohet me 600 gram ujë për frymë. “Skanë turp na sjellin 600 gram ujë. Vijnë ndihmat me helikopter, por unë nuk i kam parë, sepse nuk kanë shkarkuar, vijnë në Velipojë dhe nuk shpërndahen. Vijnë 6 pako, në lagjen Selmanaj. Kjo është katastrofë, nga këta njerëz të pashpirt, të pa formuar për këta njerëz. Çdo njeri, majtas e djathtas, të çohet në këmbë ti ndihmojnë këta njerëz, sepse ekonomia e tij ka shkuar në zero. Sot për sot nuk kam besim te ky shtet, se më ndihmon apo jo”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›