Hudënisht, punojnë e marrin prodhimet e tokës së shitur
POGRADEC/ Fshatarët të cilët ia shitën tokën e tyre Gjallicës, pas vitit 97 vijojnë të punojnë e të kujdesen për të
POGRADEC - Vetëm 7 km larg qytetit të Pogradecit, sapo kalon fshatin Hudënisht, shtrihet një plantacion toke prej 6 ha e rrethuar nga një mur betoni.
Toka në fund të vitit 1995 iu është blerë fshatarëve të Hudënishtit nga administratorët e firmës "Gjallica" me preteksin e ngritjes së një fshati turistik, pasi e gjithë parcela është e ndarë në dy pjesë, njëra pjesë në breg të liqenit dhe pjesa tjetër mbi rrugën nacionale. Të dyja parcelat ndodhen në gjirin e liqenit.
Shumë fshatarë që e kishin me tapi dhe dokumentacion të rregullt tokën, si: Qebir Alla, Bujar Dervishi etj me dokumente noteriale e shitën tokën tek administratorët e "Gjallicës" duke marrë paratë dhe menjëherë pas kryerjes së aktit noterial në krye të parcelave u vendosën tabela "Pronë e Gjallicës".
Por pas ndodhive të vitit 1997 kur firma "Gjallica" doli piramidë, toka filloi të ngelet si mall pa zot, madje fshatarët iu hoqën tabelat. Dhe më pas filluan të punojnë tokën dhe të marrin prodhime prej saj çdo vit. Madje njëri nga fshatarët që punonte në tokat e "Gjallicës", Rafet Dokollari, me shaka thotë që është një shprehje e moçme: "Toka i takon atij që e punon".
Megjithatë, njëri nga pronarët i cili ka shitur tokën por që nuk do të prononcohet me emër thotë që toka "Gjallicës" i është shitur "gati badjava me 1 000 lekë të rinj metrin katror, ndërkohë që sot në këtë zonë turistike çmimi ka shkuar rreth 15 herë më shumë. Disa pronarë të një lokali pranë parcelave të tokës, thonë se kanë dëgjuar se këtë tokë do ta marrë një pronar nga Vlora që ka humbur tek "Gjallica" shifra marramendëse parash.
Kryetari i komunës së Hudënishtit, Nexhmi Dokollari, i pyetur lidhur me këtë ndodhi, shprehet se ai ka dijeni që tokat e "Gjallicës" vazhdojnë të punohen si nga ata që e kanë pasur token, edhe nga fshatarë të tjerë që nuk kanë pasur tokë.
"Madje, - thotë ai, - jo më larg se ditën e djeshme kam parë bashkëfshatarë që punonin nëpër parcela dhe përgatitnin tokën për ta mbjellë. Unë, - shton kryetari i komunës Nexhmi Dokollari, - nuk mund t'i ndaloj njerëzit të punojnë në një tokë djerr, por njëherazi e di mirë që ajo është pronë e blerë nga firma "Gjallica", të cilët i kanë shlyer sipas marrëveshjes bashkëfshatarët e mi".
Lidhur me tokën, fshatarët të thonë se në mes të parcelës është dikush që ka 1000 metër tokë që nuk ka pranuar që ta shesë. Tokat e quajtura të "Gjallicës" që ajo i ka blerë që nga viti 1995, pas vitit 1997 kur kjo firmë doli piramidë, punohen nga fshatarët e Hudënishtit, të cilët i marrin asaj prodhime sikur ta kenë të tyren pa e ditur se deri kur...