Plagoset gjimnazisti te "Aleks Buda", policia ndalon autorin
Sherr mes nxnënësve të shkollës së mesme "Aleks Buda", në lagjen Laprakë të kryeqytetit, plagoset me kaçavidë një nxënës i vitit të tretë. Policia arreston autorin e dyshuar të ngjarjes, pak kohë pas krimit me akuzën e plagosjes me sende të forta prerëse.
Elidon Kola 17 vjeç, banues në Tiranë, sipas burimeve të policisë, mbeti i plagosur në oborrin shkollës, nga nxënësi i vitit të katërt Bledar Rusi, 18 vjeç. Ngjarja sipas burimeve të policisë ka marrë shkas pas një grindjeje të ndodhur në ambientet e palestrës së shkollës kur dy klasa të viteve të treta dhe të katërta kanë qenë duke luajtur volejboll në orën e Edukimit Fizik. Grindja mes dy grupeve t vogla të klasave është shuar në palestër dhe nxënësit janë shpërndarë, për pushimin e madh që zhvillohet pas orës së tretë të mësimit.
Në oborrin e shkollës, sipas burimeve, janë përballur Kola dhe nxënësi i vitit të katërt Rusi, të cilët kanë debatuar mes tyre për një shok të Elidonit, Gerti Marashin. Në grindje e sipër mes tyre Rusi, me një kaçavidë e ka goditur në gjoks, duke i shkaktuar një plagë të rëndë.
Nxënësi i plagosur është dërguar në spitalin ushtarak, ku pas ndihmës së dhënë nga mjekët ka kaluar rrezikun. Ndërkaq policia ka ndaluar autorin e dyshuar të krimit, Bledar Rusin, në bazë të dëshmive të dhëna nga nxënësit që ishin në vendngjarje në momentin e krimit.
Drejtori i Shkollës, Ndue Koldreu, tha dje për "Shekullin" se ngjarja e ndodhur në shkollën që ai drejton është një rast i izoluar dhe nga një nxënës i ardhur nga gjimnazi "Partizani", i larguar që andej po për të njëjtat probleme. Sipas tij, gjatë ditës së sotme pritet që të mblidhet Këshilli i Disiplinës së Shkollës, ku ai tha se do propozojë largimin dhe përjashtimin e përhershëm të tij nga shkolla.