Hulio Baptista: Gjyqtarët favorizojnë Interin dhe Juven
Sulmuesi i Romës, Hulio Baptista, beson se gjyqtarët në këtë edicion të Serisë A po favorizojnë Interin dhe Juventusin. Deri në këtë pjesë të kampionatit, vendimet e diskutueshme të "xhaketave të zeza" kanë ndikuar dukshëm në rezultatet e ndeshjeve. Më të diskutuarat janë fitoret e Interit në fushën e Sienës dhe ato të Juventusit me Katanian dhe Atalantën. Baptista u shpreh se e gjithë vëmendja është përqendruar te zikaltërit e drejtuar nga Hoze Murinjo, ndërsa "Zonja e Vjetër" nuk po cenohet, pavarësisht se episodet flasin pro saj. "Për mendimin tim, kjo situatë nuk duhet të identifikohet vetëm me Interin. Kam parë katër raste të ndryshme kur është favorizuar Juventusi dhe secili prej tyre ishte i pabesueshëm", tha braziliani për "Guerin Sportivo". "Do të më pëlqente të kuptoja si mund të ndodhin këto gjëra. Gjatë gjithë karrierës sime nuk kam parë gabime të tilla. Nuk mendoj se gjyqtarët po trukojnë rezultatet e ndeshjeve të kampionatit, por gafa të këtij kalibri, që ndikojnë dukshëm në ndeshje, nuk ndodhin në asnjë Ligë tjetër". Më tej, "Bisha" ka folur për sezonin me shumë ulje-ngritje të Romës, duke besuar se verdhekuqtë do të ngrihen në nivelet e mëparshme. "Jam i sigurt se mund të ngrihemi në nivelin e Interit. Tashmë që u rikthye qetësia, mund të synojmë vendet e para. Sezoni ynë u karakterizua nga dëmtimet e shumta. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm në këtë aspekt. Besoj se mund ta mbyllim kampionatin në vendin e katërt", përfundoi ai.