Kalderon: Kristiano Ronaldo do të bëhet pjesë e Realit të Madridit
Ish-presidenti i Realit të Madridit, Ramon Kalderon, mund të jetë larguar nga "Santiago Bernabeu", por kjo nuk e ndalon që të besojë te transferimi i Kristiano Ronaldos. Avokati, i cili nuk ka më asnjë autoritet në drejtimin e klubit, duke rikujtuar dy vjet e gjysmë në krye të "merengues", u shpreh i sigurt se mesfushori portugez do të firmosë për Realin. "Besoj se kam bërë një punë të mirë gjatë periudhës kur isha në krye të Realit të Madridit. Fituam gjashtë tituj dhe dyfishova të ardhurat financiare të klubit. Gjithashtu, falë meje, në fund të sezonit aktual, skuadrës do t‘i shtohet një prej lojtarëve më të mirë në botë", deklaroi ai gjatë një interviste për programin "El Larguero", në radio "Cadena SER". "Vera e kaluar nuk ishte koha e përshtatshme për të blerë lojtarë të mëdhenj, por Madridi do t‘i tërheqë gjithmonë yjet më të mëdhenj të futbollit, pasi ky klub i zotëron të ardhurat për të paguar çdo lojtar që dëshiron". Edhe pse Kalderon nuk tha asnjë emër specifik rreth blerjes së merkatos së verës, gazeta "AS" beson se ai i referohej Kristiano Ronaldos, pasi ish-presidenti hodhi poshtë spekulimet për një bisedë në aeroport me përfaqësuesit e brazilianit të Milanit, Kaka. "Nuk dua të përforcoj zërat e pavërtetë. Nuk është absolutisht e vërtetë ajo që flitet për një takim timin me përfaqësuesit e Kaka", saktësoi ai. "Pavarësisht kësaj, është e nevojshme që presidenti i ri i klubit të afrojë lojtarët më të mirë në botë". 57-vjeçari nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të klubit, ku do të zgjidhet drejtuesi i ri. "Nuk do të paraqitem aty, pasi më kanë urdhëruar të qëndroj larg kësaj asambleje. Por, nëse do të më thërrasin të dëshmoj për ato që kanë ndodhur, nuk do hezitoja".