Humb 8 milionë në baste sportive, sajon grabitjen
Një murator 35-vjeçar nga Tirana denoncon grabitjen e sajuar, por më pas rrëfen historinë e humbjes së parave
TIRANË- Bastet sportive i kanë zbrazur xhepat një muratori, i cili duket se për t’u justifikuar në familje simuloi një grabitje. L. Xhani, 35-vjeç, banues në Kombinat të Tiranës, mbërriti mbrëmjen e së dielën në ambientet e drejtorisë së policisë së kryeqytetit, ku denoncoi grabitjen e rreth 8 milionë lekëve. “Isha duke kaluar pranë kopshtit “Botanik” kur një automjet me targa të huaja ndaloi pranë meje. Prej saj dolën dy persona me maska, të cilët më morën paratë që kisha me vete. Ata më kërcënuan se do të më vrisnin nëse nuk ua jepja paratë. Kisha një shumë prej 6900 eurosh dhe 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra me vete, pasi i kisha marrë për të blerë mobilje për shtëpinë”- mësohet t’iu ketë thënë Xhani oficerëve të zyrës së luftës kundër grabitjeve pranë policisë së Tiranës. Këta të fundit kanë filluar hetimet për të zbardhur denoncimin.Burime nga policia pohuan për “Shekullin” se fillimisht hetuan të shkruarën e denoncuesit, nga ku u mësua se ai ishte një bastexhi. “Ai luante loto për skuadrat e futbollit dhe kishte humbur shuma të mëdha parash. Humbja e Hollandës dhe e Italisë kishte goditur jo pak muratorin, i cili humbi shpresat se do të fitonte të paktën paratë e tij. Kështu për të justifikuar humbjen e parave, Xhani ka sajuar një grabitje dhe për të bërë të besueshme ai nuk ka nguruar të lajmërojë edhe policinë, e cila arriti të zbulonte se gjithçka ishte e rreme. Pas përpjekjeve për të bindur policinë se në të vërtetë e kishin grabitur, por pa mundur të japë detaje të hollësishme përngjarjen dhe autorët e saj, Xhani është dorëzuar duke u thënë oficerëve se kishte sajuar ngjarjen për të justifikuar paratë e humbura”. Burime nga policia thanë se 35-vjeçari iu ka rrëfyer gjithçka policëve për motivin që e detyroi të trillonte grabitjen. Sipas dëshmisë së tij, ai nuk kishte dorëzuar rrogën e disa muajve në shtëpi, të cilat i mblidhte për të blerë mobilje, por EURO 2008 duket se i ka vjelur të gjitha paratë muratorit. “Një shumë parash ai i kishte mbledhur vetë ndërsa një shumë tjetër i kishte marrë në banesën e tij, të cilat ishin kursimet e prindërve të tij. Policia hetoi dhe zbuloi se L. Xhani kishte sajuar grabitjen për të justifikuar humbjen e parave në familjen e tij”,- thanë për “Shekullin” burimet zyrtare të policisë së Tiranës. L.Xhani babai i dy fëmijëve, mundi t’i shpëtonte arrestimit të policisë, pasi akuzohet për “kallëzim të rreme” gjë e cila do ta mbyllte deri në 5 vjet në qeli. Kjo për shkak se pranoi brenda pak orësh sajimin prej tij të ngjarjes, duke iu treguar dhe motivin e sajimit të grabitjes, punonjësve të policisë.