Mardjola: E vërteta ime për thirrjen në Prokurori
Vajza e “Big Brother” rrëfen në një intervistë se nuk e njeh Arjeta Gabajn. “Dyshoj se historia u sajua nga pjesëmarrja në spektakël”
TIRANË- Vajza e “Big Brother”, Mardjola Baço, pranon të rrëfejë seancën e marrjes në pyetje, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke mohuar implikimin në trafik femrash. “Unë nuk e njoh fare Arjeta Gabajn dhe dyshoj se e gjithë kjo histori është stisur për të hedhur baltë mbi emrin e familjes time, pas pjesëmarrjes në spektaklin “Big Brother”-pohon Mardjola për “Shekullin”.
Mardjola, pas pjesëmarrjes në reality-shoë, me se po merreni aktualisht?
Unë mbetem një vajzë si të gjithë të tjerat, e martuar dhe me një vajzë të vogël. Jetoj në Vlorë dhe punoj si financiere në një firmë.
Të premten, ju dhe bashkëshorti juaj keni qenë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Cila është arsyeja që ju kanë kërkuar për të dhënë dëshminë tuaj?
Është e vërtetë që kam qenë bashkë me bashkëshortin, pasi më kanë dërguar një fletë-thirrje për të dëshmuar në lidhje me një hetim që ata po zhvillojnë.
Me çfarë cilësie ju kanë thirrur në prokurori?
Me cilësinë e deklaruesit, domethënë jam vetëm dëshmitare e radhës, e pyetur për një hetim që ata po kryejnë ndaj një vajze nga Vlora. Me sa kam unë informacion, janë thirrur edhe shumë të tjerë në cilësinë e deklaruesve.
Si është historia për të cilën ju jeni thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda?
Prokuroria e Krimeve të Rënda më pyeti për një vajzë nga Vlora, e cila quhej Arjeta Gabaj dhe akuzohej për trafik femrash. Mua më pyetën nëse kisha njohje me të apo kisha pasur ndonjë kontakt para një viti me këtë vajzë. Kohë kur ajo ishte arrestuar...
A mund të na e tregoni lidhjen tuaj me këtë vajzë, që akuzohet për trafik femrash?
Unë nuk e kam njohur dhe nuk e njoh këtë vajzë, si dhe nuk e kam takuar kurrë dhe nuk e di se nga doli emri im në këtë dosje që prokuroria të më thërrasë. Edhe pse jetoj në Vlorë dhe kam pasur një biznes të vogël, një qendër estetike, nuk e kam takuar ndonjëherë këtë vajzë. Ajo ndoshta mund të ketë ardhur në këtë qendër për të rregulluar flokët, por unë kurrë nuk e kam takuar dhe nuk e kam idenë se çfarë bënte ajo dhe me çfarë merrej.
Në prokurori kemi mësuar se ajo ka kërkuar ndihmë tek ju, për dokumente që të ikë jashtë shtetit?
Unë nuk kam letra për vete. Si paskam mundësi t‘ua bëj ato të tjerëve? Këto që mund të ketë thënë ajo janë trillime dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Unë s’kam të bëj fare me këtë person.
A jeni ndjekur penalisht ndonjëherë nga prokuroria?
Unë nuk kam qenë kurrë e ndjekur penalisht nga asnjë institucion shtetëror si brenda apo jashtë vendit.
Mardjola, pse mendoni se Arjeta Gabaj ka përmendur emrin tuaj në prokurori, ku ju vetë mohoni njohjet dhe lidhjet me të?
Arsyeja që më lind të dyshoj se pse më kanë thirrur në prokurori është vetëm pse isha tek spektakli “Big Brother”. Sapo mbaroi ky spektakël, ata më morën në pyetje për këtë gjë. Mendoj se ka të bëjë vetëm me etiketimin apo njollosjen e emrit të familjes time dhe asgjë më tepër.
Si keni ndërmend ta përballoni këtë histori, pas dëshmisë që keni dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda?
T’u them të drejtën, jam shumë e shqetësuar dhe e rënduar nga gjendja shëndetësore, për shkak të mediatizimit të marrjes në pyetje të personit tim. Ju sqaroj edhe njëherë se unë kam qenë vetëm si deklaruese në këtë histori dhe nuk kamtë bëj me trafik femrash apo gjëra të tilla. Për momentin nuk jam mirë dhe jam larguar nga puna. Sapo të përmirësohem do kthehem të punoj.
HETIMI
Historia e trafikut të femrave
Ishte vetëm 18 vjeçe dhe me probleme të mëdha financiare në familje, kur doli jashtë Shqipërisë me “shokun” e saj, i cili e detyroi të punonte rrugëve të Greqisë si prostitutë. Pas Greqisë ajo përfundoi në Itali, ku u arrestua nga policia dhe u riatdhesua në Shqipëri, ku ka qëndruar për disa muaj“pushim” për t’u kthyer prapë në “profesionin” e mësuar me dhunë. Vlonjatja riatdhesohet në Shqipëri ku kthehet për të jetuar dhe banuar pranë familjes së saj në Vlorë. Por këtu fillon edhe kryerja e veprës penale. Nga viktimë e hershme e prostitucionit, ajo kthehet në shfrytëzuese, sipas dosjes hetimore. Duke shfrytëzuar moshën e re të një 13 vjeçareje, mungesën e kushteve të mira ekonomike të familjes së saj dhe nivelin e ulët të shkollimit, Gabaj ka arritur të mashtrojë vajzën, duke realizuar largimin jashtë vendit. Që këtu, vajza nga Vlora, Arjeta Gabaj, ka filluar të ushtrojë punën e “tutores”, duke rekrutuar 13- vjeçaren për një trafik të mundshëm me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Por, mungesa e 13- vjeçares në shtëpi ka alarmuar familjarët e saj të cilët i janë drejtuar policisë duke denoncuar zhdukjen e vajzës, duke e shpëtuar atë nga trafikimi.