E Diel, 1 Nëntor 2026

Politizimi i papranueshëm i Televizionit Publik

 

Televizioni Publik Shqiptar ka ca kohë që shfaq një spot ku i bëhet thirrje publikut të paguajë taksën për përdorimin e aparateve marrëse, apo atë që quhet Taksa e Televizionit Publik. Paguani taksën dhe ekranit tuaj do t’i rikthehen ngjyrat, thotë folësi në spot. Por si zor të jenë të shumtë ata që ndajnë të njëjtin entuziazëm me të. Natyrisht që çfarëdolloj spoti që u kërkon njerëzve të paguajnë para në formën e një takse, s’para gëzon shumë popullaritet, por kur ta kërkojnë këtë për Televizionin Publik Shqiptar, mbetesh vërtet pa mend, jo vetëm sepse i bie të paguash para për një televizion aq të dobët sa, sikur nesër të reshtë së ekzistuari, do të kalonte pa u vënë re, por edhe sepse i bie të paguash për të parë e dëgjuar për orë të tëra, çdo ditë, për bëmat e S.Berishës.

Ky institucion ka treguar një paaftësi mbresëlënëse për të ndryshuar, për t’u bërë më profesional, më mendjehapur, më i paanshëm politikisht, për t’u modernizuar apo për të shfaqur qoftë edhe një fije vizioni që do ta ndihmonte atë t’i përshtatej kohës.

Për çfarë harxhohen paratë që paguajmë për këtë institucion? Përse ky institucion që merr gjithë këto taksa, s’arrin të krijojë asgjë cilësore apo të përçojë ndonjë vlerë publike që do ta bënte atë të aftë të konkurronte me televizionet e shumta private që ka Shqipëria?

Por kushdo që shtron një pyetje të tillë tregon se s’merr vesh fare nga punët e TVSH-së. Prioritetet e Televizionit Publik Shqiptar janë krejt të ndryshme nga ato të televizioneve private. Në një kohë kur televizioneve private për të siguruar të ardhurat u duhet të prodhojnë programe të një cilësie sa më të lartë, TVSH ka vetëm një shqetësim: ta mbajë mirë me padronët e tij politikë.

TVSH, vazhdon të mbetet një instrument propagande par excellence për partinë në pushtet. Dhe është kjo arsyeja përse herë pas herë të krijohet përshtypja sikur TVSH ekziston në një realitet paralel, ku punët shkojnë vaj, ku Gërdeci është veç një përrallë e harruar nga e kaluara, ku “Kryeministri takon njerëz në rrugë të shtruara rishtazi me asfalt” e përuron vepra madhore si puna e ndonjë vije uji, etj., etj., etj.

Përballemi me një miks ndjenjash që shkojnë nga sikleti tek përbuzja, e deri tek frustrimi kur shohim për shembull emisionin e lajmeve tek TVSH. (Ka zëra që thonë se ky program përgatitet nga një staf i tmerruar nga telefonatat e pareshtura të Kryeministrit apo Kryetares së Kuvendit.) A ka vallë njeri që mendon se TVSH po i përmbahet nenit 40 të statutit të tij, që flet për “paanshmërinë, objektivitetin dhe profesionalizmin e informacionit”? Në çdo demokraci liberale në botë, do të ishte e papranueshme që të bëhej fushatë nga një institucion publik me paratë e taksapaguesve në këtë farë mënyre, por ndoshta është naive të pretendosh se Shqipëria është demokraci liberale.

Sidoqoftë, duhet thënë se është e padrejtë që për këtë situatë të kritikohet vetëm TVSH apo stafi i tij drejtues. Në radhë të parë i duhet kërkuar llogari qeverisë për trysninë dhe kontrollin që ushtron ndaj këtij institucioni. Pjesa më e madhe e drejtuesve zgjidhen në ato poste sepse kanë një qëndrim lepe-peqe ndaj pushtetit. Në qoftë se nuk iu përmbahen këtyre “kualifikimeve” dhe në qoftë se nuk respektojnë rregullin e artë të bindjes së verbër, këta nuk e kanë të gjatë në TVSH, gjë që e provon dhe rasti i ish-Drejtorit të Lajmeve, një gazetar serioz e profesionist, i cili u ul në detyrë sepse pasqyroi, ca më tepër se ç’i vinte për shtat zotit Berisha, për tragjedinë e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›