Humb besimi tek reformat

Partitë e vogla opozitare duken disi skeptike për realizimin reformës në drejtësi, veçanërisht asaj zgjedhore pas Samitit të Bukureshtit. Neritan Ceka i PAD-së, Paskal Milo i PDS-së dhe Petrit Vasili i LSI-së të pyetur nga “Korrieri”, shprehën dje dyshimet e tyre për realizmin e reformave reale. Presidenti i PAD-së shprehu rezerva jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj PS-së. “Mendoj që nuk mund të presim nga kjo qeveri të bëjë reforma, pa u sqaruar më parë tragjedia e Gërdecit. Nuk mund të mbështetemi tek një qeveri që i ka duart me gjak. Dyshoj edhe që PS-ja mund të shkelë mbi këtë katastrofë, për të vendosur pushtetin e dy partive të korruptuara”, - deklaroi Ceka. Veç tij edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, e shikon tepër të vështirë kryerjen e reformave. Sipas tij, kur dy reformat nuk u arritën përpara samitit të Bukureshtit, kur pritet marrja e ftesës për t’u bërë pjesë e NATO-s, vështirë se vullneti politik do të gjendet pas pranimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike. “Kur nuk i përfunduam në prag të NATO-s, që ishin të detyrueshme, tani do t’i bëjnë si të duan. Nuk garantoj se do të ketë ecuri normale të reformave. Kërkohej kryerja e reformave përpara hyrjes në NATO, dhe kjo mund ta motivonte kryeministrin dhe qeverinë të lëvizte drejt reformave. Pas marrjes së ftesës, jam shumë skeptik se do të ketë reforma reale, por edhe vullnet e dëshirë për t’i bërë këto reforma. As për qëndrimin e opozitës në tërësi nuk mund të flas dot, pasi çdo parti e opozitës për reformën zgjedhore ka pasur këndvështrimin e vet”, - theksoi kreu i PDS-së. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim mendon se klima për kryerjen e reformave me një konsensus të gjerë është shkatërruar nga dy partitë e mëdha. Siç shprehet edhe sekretari i Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, kuptohet qartë se kjo parti vazhdon të akuzojë PD-në e PS-në për kompromis të fshehtë. “Reforma në drejtësi për mënyrën sipërfaqësore dhe demagogjinë me të cilën u krye, mund të cilësohet një reformë e panisur dhe gjithë procesi “blic” që shoqëroi atë, tregoi qartë që dy partitë e vjetra nuk e kuptuan qëllimisht atë që BE-ja dhe NATO iu kërkojnë, sepse preferuan “status-quon” në vend të zhvillimit. Reforma zgjedhore e propozuar nga PS-ja dhe e depozituar tinëz në Kuvend, kishte një synim të vetëm: të konsolidonte kompromisin me PD-në e Berishën dhe dëmtimin e opozitës. Ne si LSI nuk do të bëjmë kompromis me procese të fshehta e antikushtetuese si ky i deritanishmi, që ka shoqëruar reformën zgjedhore”, - deklaroi Vasili. Ai shtoi se transparenca për reformën zgjedhore u zëvendësua me kompromise të fshehta mes dy partive të mëdha, çka do të kundërshtohet në vazhdim nga LSI-ja. Aktualisht, Komisioni i Ligjeve ka ngritur një nënkomision, i cili po punon për draftin përfundimtar të reformës në sistemin e drejtësisë. Në krahun tjetër, puna e komisionit të reformës zgjedhore ka ngecur, ashtu sikundër edhe negociatat mes aktorëve politikë, ndërsa socialistët kanë depozituar tashmë në Kuvend propozimet e tyre për ndryshimet kushtetuese. Partia më e madhe e opozitës në këto propozime kërkon që sistemi i ri të jetë proporcional rajonal. Në krahun tjetër, të vegjlit duken të ndarë në kërkesat e tyre, ku si brenda opozitës, ashtu edhe nga mazhoranca propozimet janë të ndryshme. Ndër to ka edhe nga ata që mbështesin proporcionalin rajonal të socialistëve, por me disa korrigjime.saqellari@korrieri.com