Humb jetën 52 vjeçari, u keqtrajtua pasi u kap brenda një banese duke vjedhur pula

Një 52 vjeçar ka humbur jetën të shtunën disa ditë pas keqtrajtimit nga pronari i një banese ku ai kishte hyrë për të vjedhur.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 28 shkurtit në lagjen “11 Janari” në Kuçovë.
Gjithnjë sipas saj, Lefter (Krenar) Brisku është kapur nga i zoti i shtëpisë me një thes me pula që i kishte vjedhur në kotec, ndërsa më pas ka ndërhyrë djali i këtij të fundit, 20-vjeçari Bjorsi Shushari, i cili ka nisur ta dhunojë, duke i shkaktuar fraktura të forta në kokë.
Brisku u dërgua menjëherë pas ngjarjes në gjendje kome në spital, për shkak të goditjeve të shumta që kishte marrë në kokë.
Ai nuk ka mundur dot t’u mbijetojë plagëve të marra dhe mesditën e së shtunës ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi për 52-vjeçarin, që sipas tyre u masakrua në mënyrë barbare nga i riu për dy pula. Sipas tyre viktima e ka kryer aktin i dehur. Shteti duhet të vërë para drejtësisë 20-vjeçarin, Bjorsi Shushari, një student në Tiranë, që masakroi për vdekje njeriun e tyre, ndërsa kishte edhe mënyra të tjera për ta neutralizuar e më pas njoftuar policinë, thonë të afërmit e viktimës.
Pas vdekjes të 52-vjeçarit Lefter Brisku, Policia e Kuçovës njoftoi se ka ndaluar Bjorsi Shusharin.
/ rtsh.al /