Humb jetën biçiklisti 15-vjeçar

Një fëmijë 15-vjeçar ka gjetur vdekjen në Bivolak të Vushtrrisë, pasi është goditur nga një furgon.
Në bazë të hetimeve preliminare të rastit, 15-vjeçari ishte duke ngarë biçikletën me shpejtësi, në një tatëpjetë me një kthesë. Në kthesë, ai besohet se ka humbur kontrollin dhe del në shiritin e kundërt, ku edhe përballet drejtpërdrejt me automjetin transportues i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt.
Policia ka njoftuar se njësitet e trafikut rajonal të policisë, dje treth orës 14:50min, i janë përgjigjur një aksidenti të rëndë në trafik, që ka rezultuar me humbjen e një jete.
"Aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në rrugën rurale të fshatit Bivolak të Vushtrrisë, përkatësisht në hyrje të fshatit ndërsa ishin të përfshirë një automjet transportues, kombi “VW Passat” me targa vendore dhe një fëmijë, biçiklist, mashkull i përkatësisë etnike shqiptar", ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.
Sipas vlerësimeve të hetuesve policor nga vendi i ngjarjes, gjurmë të frenimit të automjetit janë vërejtur, e gjithashtu edhe tentativa e ngasësit të automjetit për të shmangur goditjen e biçiklisitit, por nuk është arritur që të evitohet përplasja e drejtpërdrejtë e tyre.
Viktima e këtij aksidenti, Y.S. (1996), banor i fshatit Bivolak, është dërguar menjëherë në spitalin e Vushtrrisë. Në raportin e mjekut kujdestar thuhet se viktima kishte arritur në qendrën spitalore, pa shenja jete.
Ngasësi i automjetit një 28-vjeçar, është intervistuar nga Policia e Kosovës ndërsa ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit policor deri në përfundimin e procedurave hetimore.
Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë është informuar lidhur me rastin, dhe i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të i dorëzohet familjarëve të tij.