Humbasim 4:1, rishfaqen problemet në mbrojtje
Shqipëria humbet 4:1 në Suedi, duke mos arritur të realizojë mrekullinë në takimin e fundit, përballë një prej kundërshtarëve më të fortë në eliminatoret e Botërorit 2010. Në stadiumin "Rasunda" kuqezinjtë bëjnë shumë gabime, të cilat rishfaqin hijet e vjetra të problemeve në mbrojtje. Me këtë rezultat tashmë skuadra jonë duket se i ka dhënë përfundimisht lamtumirën vazos 4 dhe në shortin eliminator të Euro 2012 pritet të jetë e para në vazon 5. Kuzhe ndryshon vendosjen taktike në momentet e fundit dhe zgjedh skemën 4-1-4-1: Beqiri vendoset përpara mbrojtjes, Duro luan përkrah Bulkut në qendër të mesfushës, Skela spostohet në të djathtë ndërsa Salihi luan si mesfushor i majtë, me Bogdanin sulmues të vetëm. Kuqezinjtë shfaqen të rrezikshëm vetëm pas 70 sekondave lojë: topi i harkuar nga Bulku shkon te Salihi, që fare pranë portës gjuan keq, duke shpërdoruar një shans të mirë. Reagimi i vendasve është i menjëhershëm. Vetëm pak çaste më vonë ylli i nordikëve, Ibrahimoviç pretendon penallti pas një kontakti me Currin në zonë, por sipas gjyqtarit rus Ivanov faulli është inekzistent. Pas fillimit të vrullshëm, Shqipëria zbehet shumë shpejt në të ftohtin suedez: kur kronometri tregonte 6 minuta lojë, Melberg shënon golin e avantazhit, pasi ndodhej i vetëm në zonë gjatë një goditjeje këndi. Pesë minuta më pas është Elmander që tenton në pozicion të prirët, por gjuajtja e tij e fortë devijohet nga portieri Ujkani dhe përplaset në shtyllë. Pavarësisht dizavantazhit dhe daljes nga loja të Haxhit i dëmtuar, përfaqësuesja jonë duket superiore në fushë, megjithatë ajo që mungon është qartësia në 20 metrat e fundit. Me largimin e Haxhit dhe futjen në fushë të Hykës si mesfushor i majtë, Beqiri zmbrapset në krahun e majtë të mbrojtjes dhe Salihi kalon nga e djathta. Skema bëhet një 4-4-2 klasik dhe jep menjëherë rezultat: edhe pse në pozicion shumë të vështirë, Hyka kërkon portën, por topi i gjuajtur keq përfundon në kokën e Salihit që nuk arrin ta dërgojë në rrjetë. Në minutat e fundit të pjesës së parë vjen edhe gjunjëzimi i kuqezinjve. Në të 40-ën Berg përfiton nga gabimi i pafalshëm i Canës dhe Dallkut, nxjerr jashtë loje Ujkanin dhe dyfishon rezultatin. Vetëm 2 minuta më vonë është sërish mbrojtësi Olof Melberg që realizon golin e tretë pas një aksioni nga e majta e sulmit suedez. Fraksioni i dytë i lojës fillon me ndryshimin e krahëve në mesfushë, ku Salihi kalon nga e majta, ndërsa Hyka nga krahu i djathtë i mesfushës. Në të 57-ën Salihi shënon pas një goditjeje këndi dhe shkurton shifrat në 3:1. Sulmuesi shkodran i vjedh kohën mbrojtësve kundërshtarë dhe realizon golin e parë në këtë edicion. Një rrjetë që i jep zemër Kombëtares për një rezultat pozitiv. Fillimisht Bulku provon me një gjuajtje jashtë zone, e cila grushtohet nga Isakson. Pak çaste më vonë është sërish Salihi që kërkon të shënojë nga goditje këndi, por këtë herë topi i devijuar prej tij largohet nga Safari në vijën fatale. Megjithatë, kuqezinjtë vazhdojnë të shfaqen të pakujdesshëm në mbrojtje dhe duhen ndërhyrjet vendimtare të Ujkanit për të frenuar Nilson dhe Berg. "Gardiani" nuk ka mundur të bëjë asgjë në të 86-ën, kur Svenson pasi kalon me lehtësi mbrojtësit shënon edhe golin e katërt të suedezëve dhe vulos humbjen më të thellë të Shqipërisë në këto eliminatore.