E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Pakti për kufirin me Greqinë, në Kushtetuese

Partia Socialiste do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ujërat territoriale para se ajo të ratifikohet në Parlament. Deklarata u bë publike dje në emisionin "Top Shoë" të Alban Dudushit në "Top Channel". Në një intervistë ekskluzive, Rama sqaroi në detaje arsyet e heshtjes së PS-së dhe pse e pa të arsyeshme që të kërkojë ngritjen e një grupi pune, i cili po sheh të gjithë bazën juridike për të mbështetur ankimin në Gjykatën Kushtetuese. Rama akuzoi qeverinë shqiptare për mungesë transparence në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe indiference ndaj zërave që po japin fakte të pakundërshtueshme për këtë çështje. "Mund të them se argumentet e sjella nga njerëzit e pa interesuar politikisht, por të interesuar për shkak të njohjes së ekspertizës së tyre, por edhe për shkak të atdhedashurisë dhe qytetarisë së tyre janë tronditëse. Ato e bëjnë të domosdoshme marrjen e një iniciative për t‘iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila në liri të plotë, por edhe në ushtrim të plotë të së drejtës dhe vullnetit të saj, sigurisht me një konsultim, me ekspertë të mirëfilltë të vendit dhe të huaj duhet të thotë fjalën e fundit", vërejti kreu socialist. Sipas Ramës, me këtë çështje po merret një grup ekspertësh që ai vetë e ka ngarkuar prej ditësh dhe u takon atyre të japin gjithë bazën juridike mbi të drejtën kushtetuese dhe mbi të drejtën kombëtare për Gjykatën Kushtetuese. "Por ajo çka më takon mua të them lidhur me këtë çështje, pasi është çështje me interesa kombëtare, është çështja ku ne duhet të jemi të qartë dhe të pakontestueshëm lidhur me mbrojtjen e këtyre interesave", shtoi me tej kreu socialist. Sakaq, i pyetur se kur do të bëhet ky ankimim, i cili realisht bllokon miratimin e marrëveshjes në Parlament, a cenon marrëdhënien e saj me socialistët grekë të sapoardhur në qeveri, Rama u shpreh se hapi do të hidhet para ratifikimit, ndërkohë që më shumë rëndësi kanë interesat kombëtare. "Hapi drejt Gjykatës Kushtetuese në dijeni time duhet hedhur para se marrëveshja të ratifikohet dhe ndërkohë zëri i arsyes kërkon që në radhë të parë Kryeministri i Shqipërisë dhe pastaj vartësi i tij në Ministrinë e Jashtme të reflektojnë dhe minimalisht të bëjnë përpjekje të domosdoshme për të sqaruar dhe bërë transparencë të plotë mbi pozicion e tyre në kushtet e mungesës së një sqarimi", shtoi më tej ai. Njëkohësisht ai ka sqaruar pozicionin e heshtur të selisë rozë përballë kësaj marrëveshjeje. Kreu socialist theksoi se zgjodhi që të dëgjojë më parë ekspertët pastaj të flasë aq më shumë që kohët e fundit i është kërkuar të reagojë. "Kemi dëgjuar më shumë vëmendje, unë i kam ndjekur me shumë vëmendje të gjitha shqetësimet e shprehura nga zëra të pavarur, zëra qytetarësh, ekspertësh të shoqërisë civile dhe duket se është një çështje e cila mesa duket ka në brendinë e saj një tjetër ngarkesë të rëndë për qeverinë shqiptare, një pushtet njerëzish që janë shumë të paaftë dhe njëkohësisht mjaftueshmërisht të papërgjegjshëm për të ndërmarrë hapa që bien ndesh me interesa shumë më të mëdha", u shpreh ai në komunikim me mediat dy ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›