E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHTETI PA DINJITET

Intensiteti i zhvillimeve të përditshme politike shpesh na shkëput nga panorama e përgjithshme e zhvillimeve historike që ndodhin në vendin tonë dhe na përqendrojnë te probleme të panumërta, që i lënë vendin njëri-tjetrit, por pa u zgjidhur asnjëherë. Shpesh zgjedhim të mos e shohim panoramën e përgjithshme të zhvillimeve të vendit tonë, sepse do kurajë dhe shpatulla të forta përballimi i realitetit të hidhur të këtyre dy dekadave. Mjafton të përmendet fakti që, në vendin etnikisht më homogjen të Europës është dashur dy herë që të vijnë ushtri të huaja për të mbushur vakumin e rendit të brendshëm dhe për të mundësuar pajtimin e brendshëm.

Operacionet "Pelican" dhe "Arcobaleno" janë padyshim një njollë e madhe historike në dinjitetin e shtetit tonë, si dhe një dëshmi e qartë e paaftësisë dhe kalbësisë së elitës sonë politike. Një turp tjetër, që do mbetet barrë mbi historinë tonë, ka për të qenë edhe paaftësia për t‘iu bërë krah pjesës tjetër të kombit kur e lypi nevoja e thjeshtë dhe iu përulëm mëshirës së Perëndimit dhe ndjeshmërisë së opinionit publik ndërkombëtar. Gjithë ato vite investime në bazë materiale e kuadro ushtarake nuk vlejtën për asgjë. Ushtria nuk iu gjet këtij vendi për të mbrojtur institucione dhe nuk shërbeu as për flamur. Po kështu, është e dhimbshme që po mbushet 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe në vendin tonë ende nuk janë zhvilluar zgjedhje mjaftueshëm të lira e të ndershme, sa të jenë të pranuara nga të gjitha palët që kanë marrë pjesë në to.

Kuptohet që, listës së gjatë të paudhësive të panumërta të përjetuara nga shteti ynë nuk i mungon as përdhosja e Kushtetutës, në prillin e vitit të kaluar, duke ndryshuar në mënyrë krejt të turpshme dokumentin më të rëndësishëm të shtetit tonë me një proces të zhvilluar natën, si të ishte mbledhje kusarësh dhe jo e Kuvendit të një shteti në zemër të Europës. Edhe pse preambula e Kushtetutës zotohet "për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për "prosperitetin e të gjithë kombit", si dhe parashtrohet detyra për përmbushjen e aspiratës "shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar", shteti amë shqiptar, në më të shumtën e kohës, i ka lënë jetimë shqiptarët në shtetet që na rrethojnë. Në çdo hap është parë një sjellje inferiore, pa kurrfarë krenarie apo trimërie në mbrojtjen interesit të shtetit shqiptar apo të popullsisë shqiptare që banon përtej kufirit.

Lidhur me Maqedoninë, dihet se që në hapat e parë të këtij shteti, Republika e Shqipërisë e njohu dhe i hapi dyert nga izolimi i Greqisë, pa kërkuar asgjë në këmbim, pa kërkuar asnjë përmirësim të gjendjes së shqiptarëve aty si kusht. Edhe pse kanë kaluar 8 vite nga Marrëveshja e Ohrit, shumë mbetet për t‘u zbatuar. Madje, jo vetëm që nuk zbatohet marrëveshja, por shqiptarët diskriminohen në përfaqësimin politik, duke u dhënë në ndarjen e zonave zgjedhore të paktën 10 deputetë më pak nga sa u takon të kishin në proporcion me numrin e popullsisë. Për mos të folur pastaj për nisma të tjera të hapura të diskriminimit, sikurse ishte vjet ligji për nxitjen e pjellorisë së popullsisë sllave apo përpjekjet për të ndryshuar hartat administrative të Shkupit apo Strugës, me synim heqjen e simboleve dhe gjuhës shqipe nga këto qytete shqiptare. Vitin e kaluar, kur në mënyrë nëpërkëmbëse shteti maqedonas vendosi viza për shtetasit e shtetit tonë, u desh të ndërhynte Bashkimi Europian për ta kthyer këtë vendim, sepse zëri i shtetit tonë ishte i mekur.

Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, Kryeministri ynë deklaron që shqiptarët aty gëzojnë maksimumin e të drejtave dhe lirive dhe se ky vend është shembull i respektimit të të drejtave të minoriteteve. Ndërkohë që shqiptarët e atjeshëm, nga kushtet e këqija e kanë braktisur në mënyrë masive tokën e tyre, diskriminohen me fondet qeveritare duke marrë si investime një fraksion të parave që derdhin në taksa, nuk u kthehen pronat, nuk u mbështetet arsimi, përjashtohen nga privatizimi i ndërmarrjeve që gjenden në trojet ku jetojnë, si dhe nuk u njihet siç duhet autonomia e qeverisjes vendore.

Lidhur me Kosovën kuptohet që duhet përmendur "kontributi" i paçmuar i shtetit tonë në uljen e stekës së negociatave, duke përmendur të parët "pavarësinë e kushtëzuar", në vend që të kërkonim një pavarësi të plotë, pa pasur nevojën për të gëlltitur pakon e hidhur të Ahtisarit. Sabotimet e pandërprera të Republikës së Serbisë ndaj shtetit të brishtë të Kosovës, në hapat e tij të parë, nuk kanë kurrfarë ndjeshmërie te Republika e Shqipërisë përderisa nuk janë pjesë e marrëdhënieve bilaterale midis Tiranës e Beogradit. Madje, në këto marrëdhënie ne jemi si gjithnjë më inferiorë, duke u hequr vizat, ndërkohë që ata i kanë rënduar vizat ndaj shtetasve tonë, si dhe duke mos përmendur e kërkuar në asnjë rast dëmshpërblimin për minimin e kufirit tonë verilindor.

Mirëpo, ja po e zëmë se Kosova ka zërin e saj në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë, ka mbështetjen e SHBA-së e nuk ka shumë nevojë për mbështetjen e Tiranës. Po për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit si i bëhet? Si është e mundur që të drejtat e këtyre shqiptarëve nuk përmenden asnjëherë, sikurse nuk u përmendën në takimin e fundit të ministrit tonë të Jashtëm me ministrin serb Jeremiç? Jo vetëm që shumë nga shqiptarët e dëbuar para vitit 1999 aty nuk po lejohen të kthehen, por të tjerë po ikin, sidomos pas reprezaljeve të fundit që ka bërë policia serbe ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së për akuza false për terrorizëm.

Marrëdhëniet me Greqinë mandej janë një shkelje me këmbë e dinjitetit të shtetit tonë. Jepet e drejta për të ndërtuar varreza për andartët grekë, që kanë masakruar pa pikë mëshire mijëra civilë të Jugut, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ndërkohë që ende nuk është ndërtuar një varrezë për viktimat e pastrimit etnik që është bërë me çamët. Madje, për të mbushur këto varreza lejohet edhe përçudnimi i varreve civile të Kosinës, pa mbajtur njeri përgjegjësi. Hapet shkolla greke në Himarë, të cilën edhe qeveria socialiste nuk e ka lejuar, si dhe emërohet ministër një zyrtar që ka fyer rëndë sovranitetin e shtetit, duke marrë pjesë në një aktivitet përkujtimor të Traktatit të Korfuzit, si dhe duke e deklaruar veten prefekt të Vorio-Epirit.

Sikur mos të kishin mjaftuar gjithë këto, së fundmi del edhe një marrëveshje për të ndryshuar territorin e Republikës së Shqipërisë, duke ndryshuar me një firmë kufirin detar tonin; marrëveshje kjo e kryer sërish fshehurazi, pa kurrfarë transparence, e që mesa duket, synon t‘i lajkatojë interesat gjeopolitike dhe energjetike të Greqisë.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje në Parlament madje synohet që të bëhet shpejt e shpejt, për sa kohë opozita nuk është në Parlament dhe pa pritur që të rritet vetëdija publike dhe ndjeshmëria e popullit për shenjtërinë e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë. Në rrethana të tjera, mbase nuk do të kishte hapësirë për alarm dhe për dyshim mbi cenimin e interesave jetike të kombit tonë. Mirëpo, rastet e panumërta të përmendur më sipër, që kanë dëshmuar për nëpërkëmbjen e interesave tonë kombëtare dhe papërgjegjshmërinë e elitës qeverisëse, lënë të mendohet se kësi lloj kompromisesh në kurriz të shtetit tonë nuk janë të pabesueshme. Dhashtë Zoti që të jemi gabim e ky shqetësim të jetë i pabazë dhe që ky të mos jetë një tjetër rast në aradhën e manifestimit të mungesës së dinjitetit të shtetit tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare!

Megjithatë, marrëveshja e mjegullt me implikime kaq serioze, për sa kohë që nuk është sqaruar, meriton maksimumin e vëmendjes nga institucionet më të larta të shtetit, në mënyrë të veçantë Presidentit dhe Prokurorisë. Presidenti është përgjegjësi numër një i sigurisë në vendin tonë dhe simbol i unitetit dhe po nuk foli për këtë gjë, nuk i mbetet shumë gjë tjetër për të justifikuar mbajtjen e ofiqit. Presidentit i takon gjithashtu të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar nëse kjo marrëveshje ndërkombëtare shkon apo ndesh me Kushtetutën, e konkretisht me dispozitat kushtetuese që flasin për integritetin territorial të shtetit tonë. Ndërkohë, këtu ka padyshim vend edhe për hetime nga prokuroria, pasi neni 208 i Kodit Penal thotë: "Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm". Ndërsa neni 210 deklaron se, marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Rrethana të këtij lloji kalojnë skajin e tolerancës dhe kërkojnë shpluhurosjen e patriotizmit dhe ndërgjegjes kombëtare edhe të njerëzve më pragmatistë, që kanë një rol në shoqërinë tonë. Nëse me të vërtetë kjo marrëveshje bëhet në kurriz të integritetit të shtetit tonë, duke e çuar në fund atë pak dinjitet që na ka mbetur, historia ka për të na ndëshkuar e ka për të na njollosur, nëse rrimë duarkryq dhe e lëmë të vihet në jetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›