Humbasin në kazino, rimarrin paratë me forcë
Dy të rinj kanë hyrë në sallën e lojërave të fatit dhe duke përdorur dhunën kanë marrë shumën e 20 mijë lekëve
TIRANË- Humbasin në lojëra fati, marrin paratë me forcë. Ngjarja ka ndodhur ditën e fundit të vitit 2008, kur dy persona kanë provuar fatin në një kazino në Kombinat të Tiranës. Por pasi kanë humbur një sasi parash ata i kanë rimarrë ato por këtë herë jo me ndihmën e fatit por të dhunës. Forcat e policisë të sinjalizuara për ngjarjen mbërritën menjëherë për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para, specialistët e seksionit të luftës kundër vjedhjes me dhunë mundën të zbulonin dy autorët dhe të kryenin shoqërimin e tyre. Mësohet se dy të rinjtë kishin hyrë në kazino dhe në lojëra kishin humbur një sasi parash. Më pas ata kanë debatuar me rojën e kazinosë gjë e cila dyshohet se ka revoltuar dy të rinjtë. Këta të fundit kanë hyrë sërish në lokalin e lojërave të fatit dhe duke përdorur dhunën mundën t’i merrnin punonjësit një shumë parash prej 200 mijë lekësh të vjetra. Ata u larguan me shpejtësi për t’iu shpëtuar prangave të policisë. Efektivat blu mundën të kapnin autorët dhe të kryenin shoqërimin e tyre. Burime nga policia thanë se pasi u morën në pyetje ata u lanë të lirë, ndërsa në cilësinë e provës materiale të rinjve iu sekuestrua një sasi parash. Sipas të njëjtave burimeve dy djemtë nuk kanë qenë të armatosur, ndërsa gjithçka ka ndodhur nën përdorimin e forcës fizike. Ndërkohë në ditën e parë të këtij viti në një dyqan të lojërave të fatit që ndodhet në rrugën e “Kavajës” kanë hyrë persona të pa identifikuar, duke hapur dritaren me forcë, dhe kanë marrë dy dekoderë tokësorë dhe dy pllaketa elektronike të makinave të lojërave të fatit.