E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali tek burgjet, dy policë me një uniformë

Policët kur lënë turnin, dorëzojnë edhe uniformën pasi tenderi që duhet të ishte bërë kohë më parë është ende në proces

TIRANË- Një uniformë për dy policë. I pari pasi mbaron turnin detyrohet që të heqë edhe uniformën, të cilën, ashtu të pistë dhe të konsumuar e vesh tjetri. Kjo skenë sa qesharake aq edhe trishtuese është bërë pjesë e punës ë përditshme për shumë punonjës të policisë së burgjeve. Mungesa e theksuar e uniformave bën që ata shpesh të patrullojnë me uniformat e stërvitjes apo t’i ndërrojnë ato me njëri tjetrin. Të bëhesh pjesë e një skenari të tillë, ngjan me një komedi, ku skenaristi përdor sa më shumë forma poshtërimi për ta bërë publikun të qeshë.

Vetë policët ankohen shpesh për shumë problematika, por nuk guxojnë t’i bëjnë publike ato. Frika që iu përcjell Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka bërë që ata të heshtin dhe t’i nënshtrohen këtij realiteti të rëndomtë. Kësaj i shtohet edhe problemi me emrin “dietë”, të cilat nuk u jepen. Madje as transporti nuk iu sigurohet, e megjithatë ata vazhdojnë të jenë prezent në punë. Tenderët ndër vite kanë dështuar njëri pas tjetrit dhe si gjithmonë nuk i dihet se kush e ka fajin. Vështirësitë në punën e tyre i konstaton edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kryekomisar Shpëtim Baçi. Sipas tij, infrastruktura e burgjeve nuk është në nivelin e duhur dhe kjo e bën më të vështirë punën e tyre. Por pavarësisht deklaratave të zyrtarëve, një problemi të tillë nuk duket se po i jepet zgjidhje ende. Policët e burgjeve janë të detyruar çdo vit të përballen me mos interesimin dhe mos gjetjen e përgjegjësve, ku Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ia vë fajin dështimit të tenderëve.

Baçi shprehet se ka rreth katër ditë që ka filluar shpërndarja sidomos e uniformave, por të pyetur nga afër policët e mohojnë kategorikisht këtë fakt. Të përballur me frikën që i kanoset për vendin e punës, ata refuzojnë t’ia përplasin në sy këtë të vërtetë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Megjithatë nga konstatimet, bisedat dhe vëzhgimet në terren shihet qartë që ata vazhdojnë të vuajnë ende nga problematikat e indiferentizmit të pushtetarëve. Trajtimi ushqimor në vitet e kaluara ka qenë i përfshirë, por tashmë propagandohet se ka kaluar brenda rrogës që policët e burgjeve marrin. Një fakt i tillë mohohet nga këta të fundit të cilët shprehen se gjatë vitit 2008 nuk kanë marrë ende asnjë qindarkë për dietat. I pyetur për këtë problem Baçi thotë se gjatë gjashtëmujorit të parë do të realizohet tenderi për pjesën tjetër të uniformave. Por shihet qartë se në shumicën e burgjeve nuk ka filluar shpërndarja e uniformave aktuale dhe jo më të pretendojmë se në fillim të vitit 2009 të gjithë policët do të kompletohen. Huazimet dhe uniformat e stërvitjes kanë qenë format e vetme të përballimit të punës nga ana e tyre gjatë viteve të fundit. Justifikimi aspak bindës i dështimit të tenderëve ka qenë dhe mbetet në pasojat që i vuajnë policët e burgjeve. Janë të shumtë policët që janë transferuar në burgje të ndryshme të Shqipërisë, megjithëse jetojnë larg.

Problematik mbetet edhe transporti. Një pjesë e mirë e policëve banues në Tiranë, mund të jenë duke shërbyer në Lezhë apo në Krujë. Transporti i përditshëm që nuk realizohet nga Drejtoria e Përgjithshme, dietat, por edhe uniformat bëjnë që këta policë të kenë shumë vështirësi dhe shpesh herë të bëjnë edhe një punë të dytë. Shpesh policët e burgjeve janë të detyruar që të shpenzojnë lekë nga rroga personale për t’i kapërcyer këto hendeqe. Sipas Baçit, e vetmja gjë që mund të bëjë Drejtoria është që t’iu vëjë në dispozicion atyre mjetet e transportit. Megjithatë, burgu i Korçës, i Vlorës dhe i Lezhës e shumë të tjerë, konsiderohen si më problematikët, ndërsa zgjidhje duket se i është dhënë burgut të Vaqarit dhe të Lushnjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›