Humbet jetën pasi ndërpret mjekimin
Një thënie arabe thotë se kur pacienti pajtohet me sëmundjen, kurimi nuk mund të jetë në formën më të mirë të tij, por kur pacienti bëhet me mjekun, mund ta luftojnë më mirë sëmundjen.
Në fakt, shpeshherë pacientët që vuajnë nga sëmundje të vështira tumorale, kur trajtohen me ilaçe për të shtyrë dhe për të lehtësuar pjesën e fundit të jetës, kërkojnë ndihmë në drejtime të tjera. Hera-herës provojnë të gjejnë shpresë edhe te metodat joshkencore, të cilat shpesh mund të kenë pasoja deri në vdekje. Rasti i një pacienteje, e cila ka humbur jetën për shkak të ndërprerjes së mjekimit, ka sjellë debat mes strukturave të shëndetësisë, drejtësisë, por edhe diskutim të gjerë në komunitet. Adriana Ismaili, para një viti në emisionin “Top Show”, deklaroi se ishte shëruar nga sëmundja e rëndë, pas kurimit nga profetja që i premtoi mrekullinë.
Pak muaj pas kësaj deklarate, gruaja është ndarë nga jeta, pas ndërprerjes së mjekimeve. Kjo edhe pse mjekët e onkologjikut e kanë përfshirë atë në radhët e pacientëve me avancim të rëndë të sëmundjes. Emisioni shkaktoi polemika të shumta, ku u përfshinë mjekë specialistë, përfaqësues të fesë. Të gjithë këta bashkoheshin në një mendim, kur dënuan thirrjen e personave që deklarohen profetë dhe u kërkojnë pacientëve të heqin dorë nga mjekimi.
ShëndetësiaKreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi, kërkon që shteti të zbatojë ligjet dhe të ndjekë penalisht të gjithë personat që ushtrojnë kompetencat e mjekut, megjithëse nuk kanë asnjë të drejtë ligjore. “T’i shkaktosh vdekjen tjetrit, duke i hequr shpresën e dhënë për zgjatje të jetës me anë të mjekimeve, do të thotë se ke kryer vepër penale”, sqaroi kreu i Urdhrit të Mjekëve, Abazi. Sipas tij, me raste të tilla është ndeshur edhe në të kaluarën dhe strukturat përgjegjëse, nuk kanë marrë asnjë masë. “Këta njerëz ligjërisht nuk duhet të veprojnë dhe organet përkatëse mbajnë përgjegjësi për ta. Jetojmë në një shtet ku nuk zbatohen ligjet”, theksoi Abazi.
ProkuroriaNga ana tjetër, prokuroria deklaron se nuk mund të vihet në dijeni të rasteve të tilla. Denoncimet priten nga familjarë jo vetëm të atyre që kanë humbur jetën, ku akuza që ngrihet është “vrasje me dashje”, por edhe të atyre që u janë shkaktuar probleme serioze për shëndetin. Ndërkohë që në Prokurorinë e Tiranës, asnjë institucion shtetëror apo individ nuk është paraqitur, për të bërë kallëzim penal. Për rastin në fjalë, zyrtarisht prokuroria sqaron se do të nisë hetimet, ndërsa do të presë denoncimin e të afërmve të 34-vjeçares. Gjithashtu fton të gjithë ata që u ka ndodhur, ose u ndodh një mashtrim i tillë që të bëjnë kallëzimin penal në organin përkatës.
#