E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, minimale për tre vjet

Sipas analizës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria do të vuajë deri më 2015

Shqipëria do të vuajë norma të ulëta rritjeje dhe larg potencialit të vet afatgjatë, së paku deri në vitin 2013. Ky është vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i publikuar dje. Para krizës financiare, Shqipëria vlerësohej si ekonomi që mund të rritet me 6 për qind në vit në terma reale, gjë që do të thotë që të ardhurat e shqiptarëve do të dyfishoheshin çdo 12 vjet. Me këtë rritëm rritjeje, Shqipëria mund të arrinte nivelin ekonomik të Bashkimit Europian, brenda katër ose pesë dekadash. Por pas krizës botërore të vitit të kaluar, vlerësimi i FMN-së është që shqiptarëve do t’i duhet të presin së paku deri në vitin 2015, për të parë rritje ekonomike reale prej 5 përqindësh. Deri atëherë, ekonomia shqiptare do të rritet me rreth 3 për qind. Duke pasur parasysh se të ardhurat e shqiptarëve për frymë janë për këtë vit vetëm 3700 dollarë, ky rritëm rritjeje garanton që Shqipëria do të mbetet vendi më i varfër në Europë pas Kosovës për të gjithë dekadën e ardhshme.

Rritja ekonomike

Potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë ishte vlerësuar me mbi 7 për qind në vit gjatë dekadës së parë të tranzicionit dhe u ul në 6 për qind në vit në vitin 2001, kur u pa që vendi ynë nuk arriti të zgjidhë krizën energjetike. Tani, kriza e fundit financiare ku u zhyt bota në vitin 2009, si dhe fakti që në të ardhmen, Shqipëria pritet të ketë më pak të ardhura valutore nga emigrimi dhe investimet e huaja, erdhi edhe nga humbja e potencialit të rritjes ekonomike me 6 për qind në vit. Kështu, sipas FMN-së, ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 2.3 për qind gjatë këtij viti, me 3.2 për qind më 2011 dhe me 3.6 për qind më 2012.

Stres shoqëror

Një ritëm i tillë i rritjes ekonomike pritet të ndryshojë rrënjësisht Shqipërinë. Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, shqiptarët pretenduan që të ardhurat e tyre nga pagat, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat, të rriteshin me 10-15 për qind në vit. Kjo pritshmëri ndryshoi në dekadën e dytë, kur rritja e të ardhurave e pretenduar ishte 5-10 për qind në vit. Por nëse parashikimi i FMN-së rezulton i vërtetë, edhe një rritje e pagave me 5 për qind në vit do të jetë objektiv i lakmueshëm. Dhe duke qenë se rritjen ekonomike e përfitojnë fillimisht të pasurit, për shtresat e varfra të popullatës mund të mbetet shumë pak për të përfituar. Buxheti i qeverisë shqiptare ka shënuar rritje të të ardhurave me 8-10 për qind gjatë viteve të fundit, gjë që nënkupton dyfishim të të ardhurave në më pak se gjashtë vjet. Por së paku deri në vitin 2014, të ardhurat e qeverisë mund të rriten me më pak se 5 për qind në vit.

Rritja ekonomike

Teoria më e gjithëpranuar e rritjes ekonomike sot në botë tregon se një ekonomi mund të rritet me 7 për qind apo edhe më shumë, kur është ende në fazën e rikthimit në prodhim të aseteve, që për ndonjë farë arsyeje nuk janë mbajtur në punë. E tillë qe rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve të para të tranzicionit. Fshatarët filluan të punonin tokën dhe të rrisnin bagëti, gjë që solli rritje ekonomike të jashtëzakonshme prej 9 apo 10 përqindësh në vit. Por në një pikë të caktuar, të gjitha burimet vihen në punë dhe pas kësaj, norma e rritjes ekonomike përcaktohet nga eficenca e përdorimit të tokës. Në këtë fazë, Shqipëria hyri rreth vitit 2000. Përmirësimi i eficencës kërkon investim në aftësimin profesional të punonjësve. Duket se pikërisht këtu mbeti edhe ekonomia shqiptare. Me sistem arsimor shumë larg nevojave të tregut, gjatë dekadës së fundit u ezaurua e gjithë rritja ekonomike që mund të vinte nga shkalla e njohurive ekzistuese. Tani vendi gjendet në një udhëkryq. Disa ekspertë besojnë se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë kërkon një valë të re liberalizimi. Banka e Shqipërisë mendon se zhvillimi do të vijë nga investimet e huaja. Qeveria duket shumë e zënë me objektivin e integrimit europian dhe nuk ka shpallur ndonjë platformë se si e mendon zhvillimin ekonomik të vendit. “Standard & Poor’s”, kompania që vlerësoi situatën ekonomike të vendit gjatë këtij viti, mendon se Shqipëria duhet të përmirësojë aftësinë konkurruese përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe veçanërisht, zgjidhjes së të drejtave të pronësisë të paqarta.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›