E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja është ndryshimi!

Kimete-Berisha-150x150Nga Kimete Berisha

Berisha arrin rekordin e heshtjes në Facebook.

U bënë 17 orë që nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Nga këndi i dhomës sime gjysmë të errët, duket se këngën e mërzisë e këndojnë ata që mbesin, dhe jo ata që shkojnë.

Nuk vjen fundi për shkak se njeriu është i keq, ose pse ka gabuar, pse dikush tjetër është më i zoti se ti apo pse dikush është më i ri se ti.

Thjesht vjen koha kur rrushi piqet- dhe sado i njomë druri- digjet.

Kush është i mençur dhe me fat e pranon humbjen para se ta mohojë, se humbjen nuk e mund me mohim. Mohimi vetëm ta bën vuajtjen më të gjatë.

Po askush nuk ka aq fat sa ta pranojë humbjen, para se ta mohojë, para se të zemërohet, para se të bëjë përpjekje që ta redaktojë humbjen, para se të bjerë në dëshpërim të madh. Njëherë digjesh për së gjalli, e pastaj e pranon humbjen.

Edhe humbja është enigmatike, e dobishme. Humbja është Ndryshimi. Të jep shans të kalosh në një dimension tjetër. Kush ka humbur, e di se kurrë më nuk është kthyer në gjendjen që ka qenë përpara se të humbasë, sado i ngazëllyer të ketë qenë. Humbja na zbret në tokë dhe na bën njerëz më të mirë. Na e rikujton që vuajtja i barazon njerëzit, dhe fitorja mbi njerëzit dhe tokën është e përkohshme, si jeta.

Nga dhoma ime e vogël, ku jetohet edhe pa shpresë, edhe pa dashuri, edhe pa pare, duket se s’ka gjë më bukur, se kur nisesh në një rrugë tjetër, qoftë edhe rruga e fundit. E sheh që mbrapa mbesin ata që kanë heshtur pas teje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›