E Diel, 1 Nëntor 2026

E pamundur të jeni më simbol i unitetit Ju, zoti President!

pres-nishani-donald-rumsfeld-3Nga Ben Andoni

Ka shumë të ngjarë që figura e presidentit Nishani ti bashkojë të dy forcat politike pas zgjedhjeve të 23 Qershorit! Për një element: heqjen e tij. Ai nuk mund të përfaqësojë më vendin, por më shumë se kaq, unitetin e tij. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ngarkon konkretisht Presidentin me rolin e garantit të organeve institucionale dhe njëkohësisht i jep rolin e garantit primar të ligjshmërisë në Republikën e Shqipërisë. Por, ky autoritet primat e ka të pamundur ta kryejë më këtë detyrë.

E ka të pamundur ta realizojë për shkak të vetëdijes partiake që e ka të rrënjosur thellë në thelb, për shkak të profilit të ulët që përfaqëson si individ dhe për mos përshtatjen dot me problemet që po kalon Shqipëria. E fundit për momentin lidhej me zgjedhjet parlamentare, ku deklaratat e tij ngjanin të fliste për një vend që skish të bënte fare me Shqipërinë, apo me barazlargimin e tij prej problematikës fare të dukshme të tyre si zgjedhje që rezultuan nga më të turpshmet në historinë shqiptare. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këto përmasa kërkesa për devijimin e votës si këtë herë, kurrë ska qenë i tillë presioni mbi administratën, mbi njerëzit, aq sa denoncimet e Avokatit të Popullit dhe strukturave të tjera të Shoqërisë Civile ngjanin si subjekte filmash thrilleri. Ndërsa ky autoritet, me fjalën e tij të vakët, në ditët finale, u mjaftua me fraza të thata dhe pa asnjë kuptim.

Por, kaq i pakuptimtë është bërë ky personazh, saqë të mjafton të kujtosh sesi instinktivisht gazetarët e sportit e kishin të vështirë ta bënin diferencën e protokollit në stadiumin Qemal Stafa në ndeshjen e përfaqësueses kundër Norvegjisë. Të gjitha kamerat dhe komentet ishin kah Berishës, kurse presidenti Nishani, simboli i unitetit shqiptar, u fokusua në pozitën e njeriut të shpurës së tij. E më keq akoma, ky episod jo vetëm që nuk e bezdiste, por e rehatonte në atë atmosferë aq kombëtare që mbarte stadiumi.

Me pak fjalë, ka vite që shqiptarët nuk e ndjejnë më institucionin e presidencës si institucionin e tyre. E bjerrur në një institucion thjesht kortezial, ajo nuk kryen dot dhe atë për të cilën më së shumti kanë nevojë njerëzit: mbrojtjen e imazhit të vendit dhe ngjalljen e emocionit kombëtar. Dhe, me z.Nishani steka institucionale ka zbritur si kurrë herë kaq ulët. Në muajt që ndodhet në krye të institucionit shqiptar as edhe në një herë të vetme, nuk ka mbajtur një qëndrim që të ishte mbi palët apo që të ngjallte besim tek njerëzit. Deklamimet e vakëta, sintaksa e varfër, prezenca e ulët dhe më shumë akoma mospërshtatja me rolin e presidentit e ka bërë që shqiptarët gati ta harrojnë se ai është presidenti i tyre.

Janë të shumta bëmat e tij, por dekretet për transferimin e dy gjykatësve të Gjykatës së Lartë, të akuzuar për mbylljen e dy gjyqeve për korrupsion të nivelit të lartë në Gjykatën Kushtetuese, kanë hedhur dyshime lidhur edhe për qëllimet e tij. Dhe smbaron këtu.

Po kush do harrojë vallë ankesat e të përndjekurve tek presidenca, kurse ai me memecerinë e tij, jo vetëm nuk reagoi si duhet por i la edhe të përcëllohen vetëm pak orë më vonë pasi dolën nga dera e tij, para të gjithë kamerave; po kush do ti harrojë vallë kërkesat që bënë njerëzit në mënyrë që ky njeri tu fliste si duhet palëve në zgjedhjet e fundit dhe votuesit të mos shpërdoroheshin ashtu; kush do të harrojë jo-efikasitetin e tij me forcat e armatosura, dhe kush mund ti thotë se sot shqiptarët janë gjithnjë e më të përçarë. Askush smundet dot. Ai nuk kupton. Përballë është një njeri që nuk kupton asgjë ose më saktë nuk ka fuqi për asgjë.

Përgjigjja më e mirë ndaj dekreteve të tij do ishte ajo e deputetit të PD-së, Marku: Votova kundër kandidaturave të paraqitura nga zoti Nishani, përkatësisht për faktin e thjeshtë se në CV-ja e tyre e paraqitur në Kuvend, të dy rezultonin të kishin qenë ish- funksionarë të lartë të sistemit represiv të Enver Hoxhës. Mendova se zgjedhja e tyre do të ishte një fyerje për kujtimin e mijëra viktimave të regjimit komunist si dhe një fyer për një institucion të lartë si Gjykata Kushtetuese. Votimi im kundër ishte protestë ndaj propozimeve amorale, fyese dhe banale të Presidentit Nishani dhe të atyre që ia kanë servirur atij këto dy kandidatura.

Ka një shfajësim të përgjithshëm për të: nuk ka shumë kompetenca edhe pse dihet se ka kaq kompetenca garancie për ruajtjen e ligjshmërisë. Janë të rralla rastet kur në deklarimet publike që bën të gjesh edhe një koment të vetëm dashamir për të si përfaqësues i popullit, nga tërësia e shtetasve të Republikës, të atyre që lexojnë mesazhet e tij, të atyre që qëllohen në ditën për diell në Republikën që ai kryeson, të atyre që ndjekin qëndrimet e tij për drejtësinë e munguar akoma sot e kësaj dite dhe përmasën e frikshme të krimit shtetëror.

Dhe më e madhe nga të gjitha nuk janë kufizimet e tij të panumërta, ku më e madhja është pafuqia morale për tu ngritur mbi palët dhe për tu parë si presidenti i shqiptarëve, por thjesht pakënaqësia se në çdo ditë të drejtimit të tij, ai ka qenë thjesht një zgjatim i Sali Berishës. Në ditët e fundit, problemi ka qenë që asnjëherë nuk mundi të këshillonte si duhej dhe ti vinte fre kësaj mase të frikshme manipulimesh dhe parregullsie që notoi kudo në zgjedhjet 2013.

Të gjitha bashkë, sepse lista e tij është e pafundme, e bëjnë argumentin që kushdo që do jetë trupa e re e ligjvënësve të këtij vendi dhe cilido që do të jetë në të ardhmen kryeministër i këtij vendi nuk mund të përfaqësohet nga ky president. Nuk mund të përfaqësohet për atë kërkesë që ka në vetvete Shqipëria e shekullit XXI.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›