Humbja me PSG, Cana polemika me Ben Arfa
Humbja 2-4 me Paris Sent Zhermen të dielën në mbrëmje ka shkaktuar një zinxhir polemikash te Marseja, duke filluar nga kapiteni shqiptar Lorik Cana, që nuk ka ngurruar të kritikojë hapur disa prej shokëve të ekipit. Në qendër ka qenë sidomos Hatem Ben Arfa, i ardhur këtë verë nga Lioni për të zëvendësuar të larguarin drejt Arsenalit Samir Nasri. Ai nuk pranoi të hynte në fushë në ndeshjen kundër Parisit dhe dje ka dalë në një konferencë për shtyp, duke i kërkuar falje trajnerit Gerets, skuadrës dhe kapitenit Cana. "I kam kërkuar falje trajnerit, tifozëve dhe skuadrës. Them se ishte më shumë një keqkuptim dhe tani mund ta konsideroj çështjen të zgjidhur", tha Ben Arfa. "Hatem duhet ta dijë se nga lojtarët me më shumë talent kërkohet gjithnjë më shumë. Ai është mjaft i pjekur për të kuptuar interesat e skuadrës. Them se ky problem duhet të shërbejë si një pikënisje për të", deklaroi Cana. Kapiteni i Marsejës nuk e ka pritur aspak mirë këtë humbje ndaj ish-skuadrës së tij. "Humbja jonë e parë sezonale erdhi në shtëpi. Kjo është e vështirë për t'u pranuar. E urrej humbje, por nuk jemi dorëzuar. Ndeshja? Hilton ishte duke u marrë me arbitrin dhe u vonua në markim. Goli i tretë na dogji vërtetë shumë. Na mungoi vigjilenca dhe ishim të paorganizuar në atë moment. Donim të sulmonim, duke krijuar një "bulevard" të vërtetë në mbrojtjen tonë", shtoi Lorik Cana.
(d.b/BalkanWeb)