Masterat, shtyhet afati i regjistrimit në fakultete
Fakultetet kanë vendosur të shtyjnë deri të mërkurën afatin e dorëzimit të dosjes individuale. Degët më të frekuentuara do të kenë një tarifë prej 48 mijë lekë, ndërsa ata më të vështirat tarifa do jetë 72 mijë lekë.
TIRANE- Një mundësi më shumë për të gjithë ata studentë, të cilët duan të aplikojnë për master apo ciklin e dytë të studimeve. Fakultetet kanë vendosur të shtyjnë deri të mërkurën afatin e dorëzimit të dosjes individuale, duke u lënë kështu në dispozicion edhe dy ditë kohë afat të gjithë të interesuarve. Ndërsa mësohet se degët më të frekuentuara do të kenë një tarifë prej 48 mijë lekësh të reja, ndërsa tek ata më të vështirat do të apilokhet një tarifë prej 72 mijë lekësh të reja.
Aplikimet
Zyrtarisht aplikimet për Master dhe ciklin e dytë të studimeve duhet të ishin mbyllur dje pasdite në orën 18:00, ndërsa gjatë ditës së sotme, duhet të publikoheshin emrat e të gjithë kandidatëve fitues sipas rendit zbritës së pikëve. Por, problemet e dala gjatë këtij procesi i ka detyruar fakultetet që të shtyjnë afatet e regjistrimit për studimet pasuniversitare. Kështu në fakultetin e Filologjisë, gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë listat e notave, ndërsa të interesuarit do të kenë edhe dy ditë afat për të dorëzuar dosjen personale së bashku me preferencën e aplikimit. Sipas vendimit të qeverisë, për çdo degë janë caktuar nga 20 deri në 150 vende, dhe, nëse deri në mbylljen e regjistrimeve, ky numër do të rritet, kriteri i vetëm i përzgjedhjes do të jetë mesatarja. Sipas MASH-it, programet e studimit të ciklit të dytë dhe programet e studimit "Master i nivelit të parë", me kohë të plotë, do të fillojnë në datën 10 nëntor 2008 dhe do të mbyllen më 30 shtator 2009.
Tarifat
Përveç taksës së regjistrimit prej 2500 lekësh të reja, aplikantët që duan të nisin Master të Nivelit të Parë apo të marrin një diplomë të nivelit të dytë, do t'iu duhet të paguajnë edhe tarifa të tjera shkollimi. Në fakt, universitetet kanë dërguar prej kohësh propozimet për këto tarifa, të përllogaritura në bazë të kostos së studimeve, e cila varionte deri në 150 mijë lekë të reja. Por duket se Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë vendosur t'i lehtësojnë studentët nga tarifat. Kështu, sipas dekanit të Filologjikut, për degët ku ka më shumë kërkesa, siç janë ata të mësuesisë tarifa e shkollimit do të jetë 48 mijë lekë të reja, ndërsa për degë të veçanta siç është Arkeologjia, mjaft e preferuar, tarifa e shkollimit do të jetë 72 mijë lekë të reja. Ndërkohë që ai ka sqaruar se fakultete të ndryshme do të aplikojnë tarifa të ndryshme, por që variojnë nga 40-70 mijë lekë të reja.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)