E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja që kushton 7.5 milionë

Jo vetëm presidenti Bizhdili, por të gjithë të pranishmit nuk kanë besuar në atë që shihnin. Në këto pesë vitet e fundit, humbja me Flamurtarin ishte ndeshja më turpëruese e ekipit verdhezi. Ja se si e komenton Bizhdili: "Edhe tani nuk mund të bind veten se luajti ajo Besë, për të cilën kam dhënë miliona lekë kontrata. Si askush tjetër, që para startit i kam likuiduar të gjithë. Theksoj se këto kontrata janë tepër të majme, duke besuar në emrin dhe përvojën e tyre. Ajo që pashë e përjetova në takimin ndaj Flamurtarit ishte zhgënjimi im më i madh në këto pesë vite që drejtoj Besën. Të humbësh nuk është tragjedi, qoftë edhe me një ekip të ligës së dytë, por kur nuk të ecën fati, gabon, shtyllat, gjyqtari e ndodhi të tjera. Po të humbësh duke bërë sehir në fushë, kjo është e pafalshme. Vërtet para takimit u thashë se fitorja 1-0 ishte si humbje, por kisha parasysh vlerat e secilit dhe premtimin e vetë atyre për këtë sezon. Futbollistët e mi luajtën pa ide, pa taktikë, pa nerv, pa grintë, pa asgjë. Vërtet jam i befasuar." Nuk është kështu vetëm Bizhdili. Me dhjetëra pyetje shtronin futbolldashësit kavajas në të gjitha kafenetë e ambientet, pasi kryefjala e të gjithëve ishte humbja e Besës. Shumë habi mbi mënyrën se si Besa ishte vendosur në fushën e lojës. Po çfarë masash pritet të marrë Bizhdili, që si asnjëherë, është irrituar? "Së pari, do të respektoj kontratën me ekipin, ku fitorja brenda shpërblehet me 5 milionë lekë të vjetra, ndërsa humbja ndëshkohet me shtatë e gjysmë. Pra, ekipit do t'i ndalen 7,5 milionë lekë. Ky është vetëm hapi i parë, sepse nëse ndodh edhe një herë kjo lojë, atëherë ende pa filluar mirë sezoni, do t'i dënoj me përqindje në kontratë dhe ndoshta në janar dikujt mund t'i tregoj edhe derën. Megjithatë, ky nuk është vendimi im i fundit. Do të ketë edhe masa të tjera. Askush nuk luan me paratë e mia. U dhashë sa kërkuan dhe tani do të më japin sa kërkoj unë, ndryshe e thashë, fillimisht stoli e pastaj dera," - ka sqaruar "bosi" kavajas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›