E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria, FMN-së: Nuk do të marrim më masa shtrënguese për ekonominë

Ekonomia Kryeministri kërkon që të përfundojë marrëdhënien me institucionin huadhënës

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i është bashkëngjitur qëndrimit të qeverisë së tij në lidhje me vendimin për të mos marrë më masa shtrënguese financiare në vend dhe se në këto rrethana nuk kishte më arsye për të vazhduar bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Hungaria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë një marrëveshje, e cila përfundon në tetor, ndaj nuk ka arsye që të diskutojmë çështje afatgjata me këtë organizatë ndërkombëtare”, ka deklaruar Kryeministri konservator hungarez. Këto deklarata i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur në Berlin me Kancelaren gjermane, Merkel. Ai tha se vendi i tij duhej që të largohej nga një marrëveshje me organizmin huadhënës ndërkombëtar dhe tashmë të negocionte në të ardhme për problemet financiare vetëm me Europën. “Kur marrëveshja me FMN-në të përfundojë në muajin tetor, ne nuk do të negociojmë më me FMN-në, por me Bashkimin Europian… Ne kemi rënë dakord që të reduktojmë shpenzimet e buxhetit deri në 3%”, ka deklaruar Kryeministri. Në fundjavë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe BE i ndaluan në mënyrë të ashpër bisedimet e tyre me Hungarinë, në lidhje me paketën e shpëtimit prej 20 miliardë dollarësh që ia kishin premtuar që në vitin 2008. Të dyja palët janë ankuar për shkak të rezistencës nga ana e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Kryeministri konservator për reduktimin e deficitit dhe Prodhimit Kombëtar Bruto në 3% në vitin 2011. Të hënën, fiorini, monedha e vendit, pati një rënie të ndjeshme ndaj euros dhe një ditë më pas u rrit shumë edhe kostoja e huamarrjes. Ndërkaq, Kryeministri, pavarësisht nga presioni që i bëhet, nuk ka shprehur as shenjën më të vogël se do të heqë dorë nga qëndrimi i tij. Sipas analistëve, ai është duke u përpjekur që të shmangë atë që i ndodhi paraardhësit të tij, i cili e çoi vendin në një situatë shumë të rëndë ekonomike.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›