Senati SHBA, sërish pyetje për shefin e BP-së
Shefi i “British Petroleum” është thirrur edhe njëherë tjetër për të dëshmuar para një komisioni të posaçëm të Kongresit Amerikan. Herën e parë ai u thirr që të dëshmonte në lidhje me tragjedinë e rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës, ndërsa tani bëhet fjalë për një tjetër çështje po kaq problematike dhe me nam të keq. Ai pritet që të dëshmojë javën e ardhshme në lidhje me lirimin dhe faljen që i bënë autoritetet britanike të dënuarit libian të akuzuar për shkaktimin e tragjedisë së avionit në Lokerbi të Skocisë, ku humbën jetën mbi 200 persona 20 vjet më parë. Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit amerikan do të marrë në pyetje edhe këshilltarin ligjor të kompanisë së naftës. Senatorët duan që të dinë nëse gjigandi britanik i naftës ka pasur ndonjë ndikim tek autoritetet britanike në marrjen e vendimit për lirimin e të dënuarit, që në fakt bëri një bujë të madhe ndërkombëtarisht dhe u dënua nga një pjesë e mirë e politikanëve dhe faktorit ndërkombëtar. Së fundmi, kompania ka konfirmuar se e ka inkurajuar qeverinë britanike për të kryer marrëveshjen e transferimit të të burgosurit nga Anglia në Libi në vitin 2007, sepse druhej se mos një vonesë në këtë vendim do të ndikonte keq në marrëdhëniet e kompanisë me Libinë, vend në të cilin ajo ka licencë për të shpuar tokën për naftë. Por ndërkohë ajo ka mohuar në mënyrë kategorike se ka lobuar tek autoritetet skoceze për lëshimin e Abdel Basset al-Megrahi, i cili në vitin 1988 u dënua për vendosjen e bombës në avionin “Pan Am” të fluturimit 103 mbi Lokerbi të Skocisë. Në këtë tragjedi vetëm amerikanët që humbën jetën ishin 189. Pyetjet në lidhje me bombën e Lokerbit pritet që t’i komplikojnë edhe më marrëdhëniet që tashmë kanë pësuar të çara mes Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri britanik, Cameron, i cili ishte në një vizitë të rëndësishme zyrtare në Uashington, gjatë takimit që pati me Presidentin e vendit, Obama, e dënoi vendimin për lënien të lirë të kriminelit libian për arsye shëndetësore, por një gjë e tillë ndodhi ndërsa në pushtet ishin laburistët dhe ai në atë kohë ishte lider i opozitës. Por këtë javë Uashingtoni u shpreh se nuk ekzistonte ndonjë fakt për ndonjë rol të rëndësishëm të kompanisë së naftës në vendimmarrjen për lëshimin e kriminelit dhe se vendimi është marrë i tëri nga autoritetet skoceze, që janë të vetmet që duhet të mbajnë përgjegjësi.
Senatori i Nju Xhersit, Mendez, është edhe kryesuesi i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe ai do të merret edhe me shqyrtimin e rrethanave në lidhje me lëshimin e të burgosurit. Diplomatët britanikë në Uashington kanë sugjeruar se paneli amerikan mund të kërkojë dokumente edhe nga qeveria britanike dhe ajo skoceze. Për sa i përket shefit të BP-së, ai dëshmoi disa javë më parë sërish para një paneli në lidhje me tragjedinë e naftës që shkaktoi humbje në ishull.