Huqin me Ismail Qemalin

Ishin gjithsejtë 19 artistë që konkurruan për zgjidhjen ideore të monumentit kushtuar Ismail Qemalit. Por, me sa duket, asnjëri nga ta nuk ishte në gjendje që të sillte fizionominë dhe karakterin e kësaj figure të madhe kombëtare. Për më keq, disa nga bocetet konkurruese ngjajnë në zgjidhje tejet qesharake. Si rrjedhojë, komisioni vlerësues u detyra që të shtyjë konkursin për pesë artistë të përzgjedhur.
Drejtori i Galerisë së Arteve, Rubens Shima, deklaroi për mediat në Tiranë se përzgjedhja e pesë skulptorëve më tepër se në bocetet e propozuara - që sërish janë të mangëta si në simbolikë ashtu edhe artistikisht- bazohet në CV’të e artistëve, duke besuar se ata mund të propozojnë realizime më të denja. Ilirjan Shima, Pjerin Kolnikaj, Idriz Ballani, Ardian Pepa dhe Veli Blakçori janë artistët që do të kenë edhe për një muaj e gjysmë kohë për ripropozimin e boceteve.
Njëkohësisht, Komisioni ka përzgjedhur fituesit për monumentet e Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut.
Ishin gjithsejtë 11 bocete që konkurruan për idenë e shtatores së Zogut – kryesisht me veshjen e tij ushtarake.
“Edhe këtu, një artist i prirur që ta lartësojë figurën e Zogut, nuk është mjaftuar vetëm me një shtatore, por ka kaluar në ekzagjerime të panevojshme, përderisa një tjetër ka ofruar vetëm një portret abstrakt, të ngjashëm me shembujt që na ofron sot teknologjia për qeniet jashtëtokësore”, thekson drejtori Shima për gazetën ‘Shqip’.
Njësoj ndodhi edhe me 11 prurjet për monumentin e Hasan Prishtinës.
“Ata kanë mjaft për të përmirësuar, megjithëse janë të një niveli tjetër krahasuar me bocetet e Ismail Qemalit”, sqaron Shuima.
Bashkia e Tiranës ndërkohë ka propozuar sheshet ku mund të vendosen këto monumente, megjithëse vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Bashkiak. Është propozuar që monumenti i Ismail Qemalit të vendoset në rrugën “Ismail Qemali”, gjegjësisht pranë Zyrave të Kuvendit, shtatorja kushtuar mbretit Zog të vendoset në Bulevardin Ahmet Zogu, kurse ajo e Hasan Prishtinës në rrugën “Hoxhë Tahsini”.