Hyka: “Qipro, shans për të rinjtë”Mesfushori i Kombëtares: “Kam ardhur në formë të mirë, si nga pikëpamja fizike"

Jahmir Hyka, mesfushori i Kombëtares, i cili mban edhe rekordin e golit më të shpejtë kuqezi përsa i përket kohë së realizimit, pas vetëm 46 sekondash lojë, në fitoren 2-0 në miqësoren kundër Lihtenshtejnit (20 gusht 2008), e vlerëson Qipron, si një skuadër ndaj së cilës duhet të luhet me respekt.
“Është një ndeshje që duhet vlerësuar shumë, pasi Qipro është rritur shumë kohët e fundit. Nuk i di ende idetë e trajnerit për këtë ndeshje, por ashtu si ajo kundër Gjeorgjisë (1-1), do të vlejë shumë edhe për lojtarët e rinj”, - thotë Hyka, që ka veshur 14-herë fanellën e Kombëtares A.
Anësori i Mainc 05, skuadrës gjermane të Bundesligës 1, e ka veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, pikërisht në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë (7 shkurt 2007, të humbur 0-1 në Shkodër), kur ai ishte vetëm 18 vjeç.
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati 75-vjeçar Oto Bariç e donte shumë mesfushorin 18-vjeçar, madje besonte më shumë se kushdo tjetër te talenti i tij.
“E falënderoj shumë, që besoi tek unë. E vlerësoj si një trajner të madh, një mendim që e kanë dhe shumë futbollistë të tjerë të Kombëtares aktuale. Ari Hani? Më mirë të mos flas për të”, -shton Hyka për ish-trajnerin holandez të përfaqësueses.
Miqësoret me Kombëtaren duket se i kanë ecur ish-lojtarit të Tiranës, pasi ishte pikërisht miqësorja me Poloninë (e humbur 0-1, më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë), ku dhe ai shkëlqeu përpara se drejtuesit e Mainc 05 t’i ofronin një kontratë të majme financiare në qershor të vitit të kaluar.
Sezoni i kaluar ishte shumë i vështirë për Jahmirin. Thuajse në stol: vetëm 5 ndeshje i aktivizuar. “Kam kaluar një vit, të cilin do ta cilësoja si më të keqin, shumë më të keqin në karrierën time”, - shton Hyka. Trajneri norvegjez Jërn Anderson, nuk ishte se e kishte shumë qejf talentin shqiptar, por tashmë ai është shkarkuar. “Mentaliteti i tij për futbollin ishte larg lojës time”, - thotë Hyka.
“Kam ardhur në formë të mirë, si nga pikëpamja fizike, ashtu dhe nga ambientimi i plotë me skuadrën. Kam luajtur shumë mirë në të gjitha ndeshjet miqësore, por edhe në atë të Kupës së Gjermanisë, edhe pse humbëm kundër Lybekut. Luajta gjatë 30 minutave të shtesës, kur rezultati ishte fiksuar në 2-1 për Lybekun. Dhashë shumë krosime. Në fund të takimit isha i pafat, pasi gjuajtjen time për gol, e devijoi me kokë një lojtar kundërshtar”.
Mainc ka një trajner të ri, Thomas Tucher, të ardhur nga ekipi i moshave, ai U-19. “Me trajnerin e ri, kemi vetëm një javë që po stërvitemi, por mund të them se është më i komunikueshëm se Anderseni. Shpresoj të më japë shansin për të luajtur”, - theskon Hyka.
Në ndeshjen e parë të Bundesligës 1, Mainc 05 barazoi 2-2 me Bajer Leverkuzen, ku veçohet supergoli nga goditja e lirë e Gunkelit, në fundin e takimit.
“Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme, mbi 20 mijë veta në stadium, - thotë Hyka. – Ishte një rezultat i mirë për ne. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, edhe pse dimë që do të jetë e veshtirë”.
E Hene, 10 Gusht 2009