E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyka larg Panioniosit LASK nje alternative

Mesfushori

Vetëm katër muaj. Kjo mund të jetë kohëzgjatja e aventurës së Jahmir Hykës te Panionios. Mesfushori shqiptar u transferua te skuadra e Superligës greke më 15 gusht nga gjermanët e Mainc, për shifrën e 150 mijë dollarëve. Megjithatë, gjatë merkatos së janarit ai mund të ndryshojë sërish klub. I mbetur jashtë formacionit titullar të ekipit helen, ku është aktivizuar vetëm në tetë ndeshje, lojtari i Kombëtares po mendon seriozisht largimin. Kjo lidhet edhe me faktin se Panionios, skuadra ku militon edhe talenti tjetër kuqezi, Vasil Shkurtaj, ndodhet në një krizë të rëndë financiare dhe renditet në vendin e parafundit në kampionat. Klubi kërkon të ulë shpenzimet nga rrogat dhe transferimi i 22-vjeçarit mund të realizohet nën kosto. Një alternativë për Hykën mund të jetë kalimi në Bundesligën austriake te LASK Linz. Në këtë skuadër militon edhe mesfushori i ekipit përfaqësues, Klodian Duro, që duket se është “ndërmjetësi” për afrimin e ish-futbollistit të Tiranës në Kategorinë Superiore. Fjalët pozitive të Duros për Hykën, i kanë bindur drejtuesit e klubit austriak që ta shqyrtojnë si alternativë. Kjo skuadër kërkon të përforcohet në merkaton e janarit, në mënyrë që të evitojë rënien nga aktiviteti elitar. Aktualisht LASK renditet në vendin e fundit në kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›