E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistet e rinj Dilni beni art edhe ne rruge

Forumi “Vlerat Europiane të Teatrit Shqiptar; Vendi i Kulturës në Europën e së Nesërmes” kishte mbledhur një numër të vogël studentësh të Akademisë së Arteve, të sapodiplomuar dhe dy-tre artistë të rinj që tregonin pak nga eksperienca e tyre. Specialistët iu drejtuan të rinjve: Mos e kërkoni artin vetëm në Tiranë

Europa pa kufij, kultura shqiptare në këtë hapësirë të përbashkët europiane, të rinjtë që do të përfaqësojnë artin shqiptar dhe sfidat në tregun e konkurrencës, ishin disa nga çështjet që u rrekën të trajtoheshin dje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, në një forum të organizuar nga Forumi Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve. “Vlerat Europiane të Teatrit Shqiptar; Vendi i Kulturës në Europën e së Nesërmes” kishte mbledhur një numër të vogël studentësh të Akademisë së Arteve, të sapodiplomuar dhe dy-tre artistë të rinj që tregonin pak nga eksperienca e tyre. Në panel ishte kritiku i teatrit, Josif Papagjoni, njëkohësisht pedagog në Akademinë e Arteve, Besnik Mustafaj si shkrimtar, por duke ofruar njëkohësisht përvojën e tij politike për qëndrimet e mbajtura ndaj kulturës, regjisorja e re, Alma Hoti, fituese e edicionit të kaluar të Festivalit Teatror të të Rinjve dhe Rozina Kostani si pedagoge dhe regjisore. Mungonin drejtues të Akademisë së Arteve, pedagogë të aktrimit dhe specialistë të politikave kulturore. Ndonëse jo një debat gjithëpërfshirës për palët e interesit, çështja e shtruar ishte e qartë: a është i gatshëm teatri shqiptar të konkurrojë në vlerat europiane? A munden të rinjtë shqiptarë që qarkullimin e lirë ta kthejnë në kredi për afirmimin e identitetit të artit shqiptar? Ata pak të rinj të pranishëm thanë edhe njëherë se u mungojnë mundësitë, u mungon mbështetja institucionale dhe se e shohin të errët situatën teatrore dhe kulturore në përgjithësi. Ndonëse një lehtësim më shumë, lëvizja e lirë në Europë duket për ta shumë pak e shfrytëzueshme nëse mbetet e mbështetur vetëm në iniciativa personale. Besnik Mustafaj është përpjekur të tregojë të kundërtën, duke theksuar se mundësitë që ka një artist brenda kontekstit europian janë shumë më të mëdha se brenda kontekstit kombëtar. “Ju nuk duhet të mendoni se pozitat e artistëve në botë janë kushedi se çfarë. Ka shumë pak aktorë teatri të pasur, e po ashtu shumë pak piktorë. Rruga e artit është e vështirë, por ju duhet të mbështeteni te vlerat e vetes dhe të solidarizoheni me njëri-tjetrin. Politikës nuk i bie ndër mend për kulturën, nëse nuk ka presion nga njerëzit e kulturës. Buxheti i dhënë për kulturën te ne është i kamufluar edhe pas buxhetit që jepet për turizmin, por në asnjë vend nuk i kalon 1% të buxhetit total. Më parë artistët kanë pasur më pak mundësi. Tashmë të rinjtë duhet të përfaqësojnë artin shqiptar e njëkohësisht të përmbushin egon e tyre. Në Paris kam parë teatro me 40 vende ku vetëm 25 të parët ishin të mbushur me publik dhe artistë të njohur që vinin interpretonin aty pa e paragjykuar dhe të kënaqur që gjenin një hapësirë për t’u shprehur. Ju nuk duhet të mendoni se do të shkoni vetëm për të lypur në Europë, por duhet edhe të jepni. Është një raport dhënie-marrjesh. Ne jemi të etur të shkojmë në Europë, por duhet të jemi të përgatitur edhe të presim eksperiencat europiane këtu”, ka thënë Mustafaj. Mendimit të tij i ka shkuar më tej Josif Papagjoni. Sipas tij, artistët e rinj nuk duhet ta ndiejnë veten të kompletuar që sa dalin nga bankat e Akademisë së Arteve. “Ju në shkollë mësoni vetëm ABC-në”, ka thënë Papagjoni për t’u kujtuar se një pjesë e mirë prej tyre dorëzohen ose zgjedhin të qëndrojnë në kafenetë e Tiranës pa u përpjekur të gjejnë hapësira të tjera jashtë kryeqytetit. “Të rinjtë tentojnë të rrinë të gjithë në Tiranë. Nuk provojnë të shkojnë në qytete të tjera, të kontaktojnë bashkitë, të kërkojnë më shumë gjallëri të jetës kulturore. Këtu ka paragjykime mes vetë artistëve”, ka theksuar Papagjoni duke ngritur pas këtij problemi pyetjen: A janë të gatshëm artistët tanë të përfaqësojnë identitetin e artit shqiptar? Në të njëjtën linjë ka qenë edhe komenti i Andi Tepelenës, i aktivizuar më së shumti në aktivitetet e artit pamor. Sipas tij, është i domosdoshëm “prodhimi” i producentit të teatrit, si person që do t’i hiqte barrën regjisorit të merrej me problemet e tjera veç krijimtarisë. Sipas tij, në Akademinë e Arteve duhet të mundësohet trajnimi për producentë që do të mundësonin projekte të ndryshme, që do të ndikonin në krijimin e hapësirave të reja teatrore. “Këtu nuk ka teatër privat e as teatër të rrugës. Këtu artistët ngurrojnë të dalin në rrugë të interpretojnë, ndërkohë që Franca është e mbushur me të tillë. Këtë rrugë karriere kanë ndjekur shumë artistë të njohur. Nuk duhet pritur që çdo gjë të vijë vetë”, ka theksuar Tepelena. Thënë për ata pak të rinj të pranishëm, ky diskutim lë të hapur çështje prej shumë kohësh të debatuara për teatrin dhe kulturën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›