E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi Antimafia, juristët paralajmërojnë rrezik

 
 
TIRANë - Ligji i quajtur antimafia, i cili u bë objekt i debateve të ashpra midis mazhorancës dhe opozitës, por që pati edhe kundërshtimin e hapur të grupeve të juristëve, pasi u kalua në parlament nga shumica e djathtë rreth një muaj më parë, tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas juristëve, që nga ky moment, pasuria e të gjithë atyre që nuk e kanë deklaruar atë është në rrezik të madh, por jo vetëm. Pronarët e këtyre pasurive mund të bëhen objekt të hetimeve për implikim në trafiqe të paligjshme apo veprime të tjera kriminale të konsideruara mafioze.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, gjatë 30 ditëve që u deshën për të hyrë ligji në fuqi, misionet e huaja të ndihmës ligjore që operojnë në Shqipëri kanë zhvilluar takime me zyrën e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është diskutuar zbatimi i këtij ligji në territorin shqiptar. Vështirësia sipas specialistëve të fushës qëndron në faktin se shumë prona apo llogari bankare kanë si prejardhje ose punë në të zezë, emigracion ose shmangie të detyrimeve tatimore. Dhe në këtë rast do të jetë i akuzuari që duhet të sjellë prova dhe jo organi i akuzës ta provojë që ai i ka fituar në mënyrë të jashtëligjshme paratë e tij të padeklaruara.
Përpara miratimit të tij, ligji u konsiderua me probleme nga shoqata e prokurorëve, ajo e avokatëve, si edhe juristëve të njohur në vend. Në ligj thuhet se, dispozitat zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicie, i cili sipas atyre që e kundërshtuan, mund të përbëjë arbitraritet në zbatimin e këtij ligji.
 
 
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›