E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi masa e mbulimit të çmimeve të barnave

SHKRUAN: Jonida Tashi 17-06-2011 11:59

Zbardhet masa e rimbursimit të ilaçeve për pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike. Nga sot hyn në fuqi lista e re e 420 barnave me rimbursim, në të cilën është përcaktuar edhe masa e mbulimit të çmimeve të ilaçeve sipas kategorive. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i marrë nga qeveria në datën 1 qershor 2011 “Për miratimin e listës së barnave, që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, dhe të masës së mbulimit të çmimit të tyre”. Sipas vendimit, masa e mbulimit të çmimeve të barnave së listës së barnave që rimbursohen, do të jetë në masën 50% deri në 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave. Kurse për kategorinë e pensionistëve masa e mbulimit të çmimit të barnave për alternativën e parë në listën e barnave të rimbursueshme do të jetë 100%. Kështu, barnat e listës do të ofrohen falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Po ashtu, të gjitha barnat falas do të shkojnë edhe për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës, si dhe për një sërë personash të tjerë, si për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozës multiple, talasemisë major. Ndërsa kategoritë e tjera do të përfitojnë rimbursim të pjesshëm, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50% e medikamentit.

Këtë vit lista e re e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 11 alternativa të reja, nga të cilat disa formëdoza barnash që trajtojnë sëmundje kronike, duke krijuar kështu mundësinë e një dozimi më të mirë dhe më efikas për pacientët. Këto barna të reja do të përdoren për mjekimin e anemisë, te të sëmurët me veshka, për diabetikët, të sëmurët e pneumologjisë, kardiologjisë, okulistikës etj. Në total, lista e barnave të rimbursueshme 2011 përmban 420 barna nga 409 që kishte në vitin 2010. Sipas ISKSH-së, barnat dhe kombinimet e barnave ekzistuese të listës që janë përfshirë në listën e re 2011 janë kombinime barnash me përdorim kryesisht në nefrologji (anemia në pacientë me IRK), endokrinologji, pneumologji dhe kardiologji, okulistikë, parazitologji, duke realizuar mundësi më të mira të mjekimit për sëmundjet respiratore, kardiake, ato të syve, diabetit etj. Bazuar në konsumin e barnave të rimbursueshme të vitit të kaluar, rritjes natyrale të sëmundshmërisë si dhe rritjen e vazhdueshme të ndjeshmërisë ndaj skemës, efekti financiar i kësaj liste pritet të shkojë në 7250 milionë lekë të reja deri në fund të vitit, duke përfshirë këtu edhe rimbursimin e TVSH-së mbi barnat, i cili i mbartet i gjithi nga ISKSH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›